E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehi: Zgjedhjet u vodhën, të hapen kutitë

TIRANË - Zgjedhjet e 28 qershorit vazhdojnë të dominojnë politikën shqiptare. Kjo pasi, partitë e opozitës, por edhe ato të djathta, po kërkojnë me ngulm hapjen e kutive të votimit me qëllim transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Një grup pune i ngritur nga Partia Demokristiane dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar kanë evidentuar, se janë kryer parregullsi të shumta gjatë procesit të numërimit në qarkun e Shkodrës, por edhe në Tiranë, duke vërtetuar edhe shqetësimin kryesor të Partisë Socialiste, e cila nga 29 qershori e në vijim kërkon hapjen e kutive, si kusht për të hyrë në Parlament. Kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, thekson se Partia Socialiste, si një nga partitë më të mëdha opozitare, duhet të insistojë për hapjen e kutive të votimit. Sipas Shehit, është detyrë parësore e Partisë Socialiste për të kërkuar hapjen e kutive në qendrat, ku ekzistojnë mundësitë e manipulimit të votave gjatë procesit të numërimit.

Z. Shehi, një raport i dalë së fundmi nga një grup pune i Partisë Demokristiane dhe i partisë që ju drejtoni, LZHK-së, pretendon se ka zbuluar se procesi i numërimit të kutive të votimit është i manipuluar. Sa e vërtetë është kjo dhe a keni fakte konkrete për ta vërtetuar këtë?
Unë do të thosha që procesi i numërimit është shkelur haptazi, në shumicën e qendrave të numërimit. Jo vetëm për ato që kanë dalë në Shkodër, por LZHK-ja ka një deviacion të madh në raport me përqindjen. Megjithatë, ndoshta atje numrat janë më të vegjël, dhe unë jam i sigurt që Tirana ka një deviacion shumë më të madh. Në qoftë se ka ndonjë forcë politike, që realisht është grabitur haptazi, është LZHK-ja. Ne e kemi filluar procesin e verifikimit, të atyre që kanë dalë në monitor, për aq sa mund të lejohet pa u hapur kutitë dhe me ato që kemi parë, na rezulton se ka shkelje të pafundme. Megjithatë, ne do të presim ta mbyllim të gjithë monitorimin. Shpresojmë që edhe forcat e tjera politike si demokristianët, Partia Socialiste, që besoj se është e interesuar, duhet ta bëjmë verifikimin nëpërmjet procesverbaleve dhe ato të cilat kanë dalë në monitor, e cila është vetëm një pjesë e abuzimit. Ne kemi ndjekur këtë rrugë. Do të vazhdojmë t'i hapim, t'i numërojmë. Procesi është teknikisht i vështirë, i lodhshëm, i gjatë dhe i shpenzueshëm, por megjithatë, krijon një ide, sesa është deviacioni, sidomos në kryeqytet. Ne nuk pretendojmë të hapim të gjithë Shqipërinë, sepse do të ishte një punë e pafundme, por Tiranën po e hapim dhe do t'i shkojmë deri në fund.

Kush është përgjegjës për këtë situatë?
Unë gjykoj që këtu kanë përgjegjësi të dy forcat kryesore politike. Edhe Shkodra që u hap, tregoi një sinjal që në dy qendra kishte përfitim rreth 100 vota nga Partia Demokratike, por kishte edhe 20 nga Partia Socialiste. Kishte edhe nga Partia Republikane përfitime. Ato që kanë humbur janë partitë e tjera, alternative, si LZHK-ja, demokristianët për Shkodrën, në Tiranë kjo peshë bie mbi LZHK-në. Me këtë duam të themi, që procesi zgjedhor nuk ka qenë i rregullt, procesi i numërimit ka qenë abuziv. Por, që të kufizohemi vetëm me këtë, do të ishte një analizë e pamjaftueshme, për procesin zgjedhor, sepse procesi zgjedhor difekton në çështje të tjera, më të mëdha, më të rëndësishme, që kanë filluar shumë kohë më parë.

Cili do të jetë veprimi juaj i mëtejshëm, a do të kërkoni hapjen e kutive të votimit?
Ne kemi kërkuar hapjen e kutive të votimit. Do të vazhdojmë ta kërkojmë. Do të mbledhim të gjitha shpërdorimet, që janë të dukshme. Raportin midis ndryshimit të asaj që ka dalë në ekran dhe të atyre që janë shkruar në procesverbale, do t'ia dërgojmë organeve të Prokurorisë, shtypit, të huajve. Ne do të bëjmë detyrën tonë deri në fund, sepse kështu të paktën do të respektojnë qytetarët, që votuan për ne, dhe që duan të dinë se ku shkuan me mijëra vota. Për pasojë, në njëfarë mënyre, i jemi bashkangjitur PS-së për të hapur kutitë e votimit, por nuk i bashkangjitemi mënyrës sesi e interpreton Partia Socialiste procesin zgjedhor. Partia Socialiste është vetë bashkëfajtore në këtë "supë të prishur elektorale". Një herë që ndërtoi një kod që projektonte vetëm dy parti për të fituar, praktikisht vetëm dy kryetarë, domethënë shqiptarëve iu la alternativa: ose të votojnë për Sali Berishën, ose të votojnë për Edi Ramën, duke ditur fort mirë që ka mijëra shqiptarë, që nuk i pëlqen as njëri, as tjetri. Partia Socialiste, ka të gjitha përgjegjësitë e veta për këtë punë. U bë pjesë e këtij manipulimi zgjedhor edhe kushtetues në njëfarë mënyre, se kjo histori filloi që me Kushtetutën. Nga kjo pikëpamje, gjykoj që ka të gjitha përgjegjësitë e veta dhe nuk shoh që Partia Socialiste të reflektojë nga kjo, që ta kuptojë që Kodi Zgjedhor ishte një kod që zvogëlonte demokracinë në Shqipëri, ngushtonte demokracinë, u mbyllte portën alternativave të reja, atyre që gjykojnë ndryshe dhe nuk krijonte një qeveri të qëndrueshme. Rezultati e tregoi se, sido që të vijë puna, qeveria do të qeveriset 70 plus pesë, 70 plus gjashtë, domethënë në limitet e qeverisjes së ligjshme. Kodi nuk përmbushi asnjë nga premtimet që mori, që të krijonte një qeveri të qëndrueshme, të ishte përfaqësues i të gjithë forcave shqiptare dhe e dyta të zgjeronte demokracinë.

Z. Shehi, si e gjykoni qëndrimin e Kryeministrit Berisha, i cili nuk pranon hapjen e kutive të votimit?
Ky është qëndrimi standard, klasik i zotit Berisha. Të mos presim që Berisha do të thotë: "hapni kutitë dhe shikoni se ka abuzime mbi zgjedhjet". Besoj se edhe zoti Rama po të ishte në situatën e zotit Berisha do të bënte të njëjtën gjë. Megjithatë, unë them se është në detyrën e Partisë Socialiste të kërkojë me insistim me hapjen e kutive. Të paktën, të verifikojë që morali i zgjedhjeve nuk është i pastër. E dyta, është në detyrën e Partisë Socialiste të rishikojë Kodin Zgjedhor. Ta kuptojë vetë PS-ja, që ky qe një kod antidemokratik, jo se dëmtoi Edi Ramën apo Partinë Socialiste, por se dëmtoi gjithë politikën shqiptare në përgjithësi, dhe i mbylli shansin forcave të tjera alternative, që kanë të drejtë të jetojnë në politikën shqiptare. Çështja e zgjedhjeve nuk u kthye në çështje demokracie në Shqipëri, por u kthye në çështje pushteti. Kjo është ana më e errët e demokracisë dhe ana më e dobët e saj. Unë gjykoj që, Berisha sigurisht ka frikë, që po të hapen kutitë e votimit do të dalin edhe abuzime. Do të vihet në diskutim legjitimiteti i kësaj qeverie. Por, unë jam i sigurt që Berisha me këtë lloj stili politik, që kalohet nga e djathta në të majtë dhe nga e majta në të djathtë, pa asnjë lloj principi, numrat e deputetëve për të qeverisur i ka dhe do t'i bëjë prapë. Nuk është se me hapjen e kutive rrëzohet qeveria. Me hapjen e kutive, mund të bjerë morali i kësaj qeverie.

OSBE dhe KE-ja, i kërkuan sërish opozitës që të shkojë në Kuvend. Si e shihni në optikën tuaj këtë kërkesë të ndërkombëtarëve dhe a duhet të marrë pjesë opozita në Parlament?
Unë gjykoj, që kjo është një deklaratë diplomatike dhe nuk prisja që OSBE-ja ose Komuniteti Evropian t'i thotë opozitës rrini jashtë Kuvendit. Ditën që do t'i thotë rrini jashtë, duhet të mbajnë vetë një gjykim tjetër kritik ndaj zgjedhjeve. Fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar, Shqipërinë e ka quajtur një vend gjysmë-afrikan, dhe ditën që mbarojnë zgjedhjet, pa marrë pushkën si në vitet '96, '97 dhe '98 dhe bëhen qetësisht e quajnë një hap të madh përpara. Ndoshta, kanë harruar që këtu jeton një popull që jeton afër Evropës, dhe ka mësuar nga gabimet e veta dhe nuk ka ndërmend të marrë pushkët në emër të votave. Gjykimi për procesin zgjedhor duhet parë në një këndvështrim tjetër. Nuk pritet u bë apo nuk u bë rrëmujë në Shqipëri. Në Shqipëri, vidhen votat dhe rrëmujë nuk bëhet. Ata e konsiderojnë pozitive, mjaftojnë që u mbyllën zgjedhjet dhe shqiptarët le të merren me njëri - tjetrin. Kështu që, raportet e ndërkombëtarëve do të jenë as mish as peshk. U takon shqiptarëve të marrin gjykimin për veten e tyre: u janë vjedhur apo jo votat. Unë gjykoj që opozita duhet të shkojë në Kuvend për faktin se atje të paktën,
Në qoftë se do të bëjnë opozitë do t'i dëgjojmë se ç'po bëjnë. Dy gjëra ka për opozitën: ose shko në Kuvend dhe mbaj fjalimet politike, ose dil në shesh dhe kundërshto sistemin.

Kreu i PLiDr-së, Spartak Ngjela dhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, kanë deklaruar se do të bashkëpunojnë me liderin e PS-së, Edi Ramën, për rikthimin e votës së lirë, që sipas tyre u cenua nga pushteti i Sali Berishës. Cili është gjykimi juaj mbi këtë bashkëpunim dhe a do të bëhet partia juaj pjesë e këtij bashkëpunimi?
Çdo zë që merr përsipër të kundërshtojë padrejtësitë që bëhen, sidomos brenda sistemit zgjedhor, unë e konsideroj pozitiv. E konsideroj një të drejtë që, si zoti Ndoka dhe zoti Ngjela të marrin pozicionet e veta në emër të partive të tyre. Sigurisht, një bashkëpunim pa kushte me Partinë Socialiste, nuk më duket fort e moralshme sepse Partia Socialiste, ka po aq faj sa Partia Demokratike për këtë situatë. Unë nuk shikoj që të ketë një reflektim nga Partia Socialiste. Kur zoti Rama të vijë në linjën e principit, që ne do të shkojmë të rishikojmë Kodin Zgjedhor, sigurisht që jemi gati të rishikojmë Kodin Zgjedhor.

A është legjitime qeveria "Berisha - Meta", e dalë prej zgjedhjeve të 28 qershorit, kur ju pak më lart theksuat se procesi i numërimit ka qenë i manipuluar?
Unë gjykoj që, një herë do t'i verifikojmë deri në ç'shkallë ka arritur manipulimi, se nga kjo varet legjitimiteti. Unë do të thosha që vetë procesi zgjedhor ka qenë i paligjshëm, sepse është bërë me para publike, është bërë duke shfrytëzuar pushtetin qendror përsa i përket Partisë Demokratike dhe pushtetet bashkiake, përsa i përket Partisë Socialiste. Janë shpenzuar me miliarda. Sigurisht, që qeveria ka harxhuar më shumë se ka pasur më shumë, bashkitë kanë harxhuar më pak sepse kanë pasur më pak, dhe nuk kanë pasur dëshirën për të harxhuar për zgjedhjet politike paratë publike. Mentaliteti ka qenë i njëllojtë. Shqipëria ka nevojë që ta rishohë gjithë sistemin zgjedhor. Të bëjë një kod të ri, që të jetë një proporcional - kombëtar, të bëjë një kod të ri, i cili të japë shanse dhe të marrin pjesë në politikën shqiptare edhe ata që gjykojnë ndryshe nga ato dy forca të mëdha dhe të projektojë një qeveri, e cila të jetë e qëndrueshme dhe të mos ketë nevojë për "akrobacira" dhe "matrapazllëqet" e deputetëve.

Sa e qëndrueshme dhe efektive do të jetë kjo qeveri ?
Unë shpresoj që të jetë efektive, sepse mirë apo keq, kjo është qeveria e shqiptarëve. Nuk besoj, mënyra se si është konceptuar, si ndarje copëzash mbas interesave të partive, jo si një strukturë e qëndrueshme afatgjatë, e cila ka hyrë në zgjedhje me një program të përbashkët dhe del nga zgjedhjet me një program tjetër. Ky është një arnim politik tipik ballkanik - shqiptar, i cili mund të qëndrojë për aq kohë sa nuk do t'i këputen "penjtë" e interesit. Këtë lloj stofi politik e mbajnë qepur vetëm penj të interesit, që mund të këputen një ditë.

Si e vlerësoni përbërjen e qeverisë së re, a janë vendosur emrat e duhur në postet përkatëse ministrore?
Puna e emrave nuk është se ka ndonjë vlerë të madhe. Hiq dy - tre ministra që kanë një histori profesionale pas shpine, siç mund të jetë Ruli e Bode, pjesa tjetër, në daç hiqi në daç vëri, nuk ngrenë dhe ulin peshë fare.

Intervistoi: Bardhi Quku



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›