Zbardhja e zgjedhjeve, PS: Hetimi parlamentar e drejtë e ligjshme
TIRANË - Partia Socialiste rikonfirmon qëndrimin për të mos qenë pjesë e parlamentit, derisa të bëhet transparenca e votës së 28 Qershorit. Deputeti Taulant Balla tha se selia rozë, është e vendosur në kushtin e saj kryesor që lidhet me hetimin parlamentar, duke argumentuar se këtë të drejtë ja jep ligji, pavarësisht pretendimeve se verdikti për kutitë është dhënë nga Kolegji Zgjedhor.
Balla ka përsëritur se Partia Socialiste nuk tërhiqet nga kërkesat e saj për hapjen e kutive, pasi sipas tij, Shqipëria nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe demokratike nëse nuk hetohen zgjedhjet e 28 qershorit.
"Partia Socialiste rishpreh qëndrimin e palëkundur, në emër të mbrojtjes së demokracisë në Shqipëri dhe në respekt të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, se do të përdorë çdo mjet demokratik që do të mundësojë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit", u shpreh Balla.
Nga ana tjetër, opozita i bën thirrje Kryeministrit të mos bëhet pengesë për zbardhjen e të vërtetave që ndodhen në kuti. "Gjithçka që ne kërkojmë është transparenca, hetimi, dhe administrimi i të gjitha materialeve zgjedhore që janë në kuti, si lista, procesverbale apo edhe fletët e votimit", tha Balla.
Ai sqaroi se hetimi që po kërkon opozita nuk zëvendëson gjykatën pasi nuk mund të marrë vendime për zgjedhjet. "Ajo ç'ka kërkojmë është brenda kuadrit kushtetues e ligjor që ka një komision hetimor, bazuar edhe në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese sipas të cilave e drejta e Parlamentit për të ngritur komisione hetimore është një prerogativë dhe një mjet i domosdoshëm që i nevojitet parlamentit për të ushtruar dhe perfeksionuar pushtetin e tij legjislativ", shtoi Balla.