E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: "Benelux"-i ballkanik kundër interesave shqiptare

TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, njëherazi ish-ministër i Punëve të Jashtme, në një intervistë të dhënë dje për "Gazeta Shqiptare" ka kundërshtuar idenë e një "Benelux"-i ballkanik apo thënë ndryshe krijimit të një konferedate mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. 
Z.Shehu, në cilësinë e ish-ministrit të Jashtëm, si e konsideroni diskutimin e hapur së fundmi për krijimin e një "Beneluxi" ballkanik midis Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi? 
Në fillim dëshiroj të përfitoj nga kjo intervistë për t'i bërë një homazh të thellë veprës së mendimtarit të madh, mikut tim të vyer dhe të paharruar, Arbër Xhaferrit. Arbëri u nda nga ne para pak ditësh, duke na lënë të gjithëve ne, vlera e pasuri të medha, për vendin e tij e për rajonin në tërësi, vlera që veçse lartësojnë principet e demokracisë e aspiratat tona integruese. Dhe tashti le të përqëndrohemi në përgjigjen e pyetes suaj. Në impaktin e parë çdo projekt i cili synon forcimin e bashkëpunimit midis vendeve të ndryshme, në një mendje normale tingëllon si një hap pozitiv dhe që duhet marrë në konsideratë. Ky është impakti i parë, më tej një politikan fillon të analizojë se sa ky është një projekt realisht i realizueshëm, apo çfarë implikacione mund të krijojë, në një periudhë të caktuar kohore apo ambjent gjeografik, politik e social të dhënë. Nga ana tjetër menjëherë fillohet të analizohet se si interferon ky projekt me projektet e tjera, mbi të cilat bazohen interesat madhore e strategjike të vendit, të rajonit, në marrëdhëniet me partnerët strategjikë, me të cilët kërkohet të realizohen këto projekte parësore etj, si dhe me elementë të tjerë më tej, qoftë këto ekonomike, qoftë politike, sociale, historike etj. Pra kështu kërkohet të arrihet në një konkluzion për mundësinë e implementimit, apo qoftë dhe për utilitetin ose jo të një projekti, pra për marrjen ose jo në konsideratë të tij.
Dhe kush është ky projekt apo interes madhor për Shqipërinë e rajonin, që përbën sipas jush "gurin e provës"? 
Pa asnjë dyshim që është aspirata e madhe për të qenë pjesë e BE. Impakti me këtë aspiratë duhet të jetë dhe kriteri i vlerësimit kryesor për mbështetjen ose jo, qoftë dhe në teori, të të tilla mendimeve, si ai i "Beneluxit" ballkanik. Shqipëria dhe shqiptarët në rradhë të parë, nuk mund të konsiderojnë si të dobishëm asnjë projekt tjetër kompleks e voluminoz si ky, që nuk sinkronizon ngushtësisht me këtë aspiratë. Hapësira shqiptare është pjesë e Perëndimit dhe veten e tyre shqiptarët e shikojnë vetëm në Perëndim. Ky nuk është thjesht një nocion gjeografik për ne, por shumë më tepër. Këtu, si një parantezë, përfitoj nga rasti për të replikuar me ndonjë shprehje, që kam dëgjuar sëfundmi dhe që tenton ta quajë Shqipërinë apo shqiptarët as Lindje as Perëndim, ose diçka midis tyre. Kjo më kujton idetë e Ramiz Alisë në vitet '89 e '90, kur hidhte të tilla teori të rrezikshme për përkatësinë tonë, veçse për të shpëtuar mbeturinat e komunizmit në Shqipëri. Shqiptarët në të gjithë historinë dhe trojet e tyre mijravjeçare kanë qenë veçse pjesë e Perëndimit, pjesë aktive e tij e disa herë dhe mburojë e tij. Vetëm në dy epoka ne me dhunë jemi ndarë nga Perëndimi, gjatë pushtimit otoman e atij komunist. Por asnjëherë dhe në momentet më të vështira ne nuk kemi ndërprerë lidhjet dhe shpresat nga Perëndimi. Shqiptarët i përkasin veçse Perëndimit dhe si të tillë aspirata jonë e madhe është të jemi pjesë integrale e tij, pra pjesë e BE.
Një konfirmim përkatësie shumë krenar ky, por a nuk mund të "cënojë" kjo popuj të tjerë që i përkasin "familjeve" të tjera? 
Jo nuk ka asnjë tendencë të tillë. Me këtë unë aspak nuk kërkoj të "prek apo të cënoj", në çfarëdo forme qoftë, popuj apo vende që nuk janë pjesë e kësaj "familje", por dëshiroj veçse të mbroj identitetin tonë, për të cilin ne duhet të jemi krenarë. Unë do të thoja se gjithësekush ka të drejtë dhe duhet të mbrojë e krenohet me identitetin e tij. Më tej ne të gjithë duhet të vlerësojmë e respektojmë njëri-tjetrin. 
Po përsa i përket marrëdhënieve me SHBA? 
Ne nuk e ndajmë BE nga SHBA në konceptin politik e strategjik të Perëndimit, në konceptin e aleancave tona si shqiptarë, kudo ku jemi. Perëndimi, si një koncept i tillë, nuk mund të ekzistojë pa SHBA. Ne e dimë shumë mirë këtë. Dhe kjo përbën një nga mençuritë e largpamësitë tona më të mëdha. SHBA përbën aleatin e mburojën tonë të madhe strategjike, të të gjithë shqiptarëve, që fuqishëm po na mbështet ne, në rrugën e demokracisë, zhvillimit e integrimit në BE. Dhe jo vetëm tonën, por dhe të rajonit, dhe shumë më tepër. Kush nuk e kupton këtë, nuk kupton asgjë. 
Po nivelin e bashkëpunimit aktual rajonal si e konsideroni? 
Bashkëpunimi midis katër vendeve që përmenden, si dhe ai rajonal në tërësi ka qenë shumë dinamik në dekadën e fundit. Me këtë rast dëshiroj të kujtoj se në pak vite, shumë pak, rajoni ynë ka ndryshuar tërësisht. Sot në rajonin tonë lëvizet pothuaj kudo lirisht, ka shumë marrëveshje bi dhe multilaterale për të favorizuar shkëmbimet e çdo lloji, ka një tjetër vizion për të ardhmen Dhe të mendosh se epoka millosheviçiane përfundoi vetëm 10-12 vite më pare. Sidoqoftë, megjithë "turbulencat" që akoma ekzistojnë sot, rajoni ynë është kthyer nga ai i luftrave e genocidit në një rajon, që ka bërë hapa gjigande përpara, në një periudhë shumë të shkurtër. Vendet tona në esencë tashmë janë vende demokratike, pavarësisht nga problemet që mund të ekzistojnë, diku, dhe në disa aspekte, qoftë dhe si interferenca të së kaluares. Sot ne kemi një Shqipëri demokratike, Kosovë të tillë dhe të pavarur, një Jugosllavi të dikurshme komuniste të zëvendësuar nga shtete të lira e me aspirata europiane. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi nevojë për hapa të tjerë të mëdha në thellimin e niveleve të bashkëpunimeve tona bilaterale ose shumëpalëshe, pikërisht për një zgjerim të këtyre lidhjeve, qoftë ekonomike, kulturore, sociale, politike midis nesh. Dhe ky bashkëpunim, për të qenë vërtet produktiv, i qëndrueshëm, stabilizues e afatgjatë duhet konsideruar dhe në planin rajonal e jo vetëm midis disa shteteve. Ajo që është më e rëndësishme, është fakti se të gjithë ne kemi një aspiratë të përbashkët dhe që është integrimi në BE. Kjo është shumë e rëndësishme, se përveç Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, është dhe Serbia e Bosnja që kanë po këtë aspiratë, pa përmendur këtu Greqinë e Kroacinë që janë aktualisht anëtare të BE. Pra për rajonin tonë ekziston tashmë një projekt i gatshëm perspektive, i pranuar nga të gjithë, në rajon, në BE e SHBA, real, i arritshëm, për realizimin e të cilit duhet të koncentrohen tërë përpjekjet e energjitë tona. Këtu dua të theksoj se disa prej nesh kanë fituar statusin e kandidatit në këtë drejtim, disa, si Shqipëria, kanë mbyllur marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE, duke sanksionuar rrugën e të ardhmes e duke marrë përsipër detyrime për të realizuar. Pra çdo hap i mëtejshëm duhet vlerësuar nëpërmjet këtyre detyrimeve e zhvillimeve perspektive. 
Duke u kthyer te pyetja e parë, ky "Benelux" i ri, si e shikoni ju? 
Në të vërtetë ajo që thashë deri më tani, është pjesë e kësaj përgjigjeje. Sidoqoftë për të qenë më konkret le të shikojmë me dy fjalë diçka për atë model, duke kuptuar se jo çdo model që aplikohet diku, mund të jetë i aplikueshëm diku tjetër dhe dikur tjetër. Rëndësi ka që kur diskutohet për të tilla çështje, të mos diskutohet teorikisht, por në përputhje me një sërë kushtesh e premisash. Ndryshe mund të humbim kohë me diskutime utopike, shterpë, apo akoma më keq, dëmtuese. Dhe tani të vimë te kjo ide konkrete, qofte dhe e "ndërmjetme", disa e quajnë kështu. "Beneluxi" si nocion lindi midis Hollandës, Belgjikës e Luksemburgut, në vitin '44-'45 kur BE nuk ishte akoma krijuar. Për hir të së vërtetës dua të theksoj se kjo përpjekje ka ekzistuar midis këtyre vendeve që nga shekulli i 19- të, pra kishte një të kaluar historike në këtë drejtim. Implementimi i kësaj strukture kërkonte mjaft përpjekje, investime, se synonte krijimin e shumë institucioneve të përbashkëta, si legjislative, ekzekutive, sociale, ekonomike, politike etj...
(Intervistën e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›