E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Gentian Beqirit, policët roje: Nuk folëm me vrasësit, po parkonim makinën

ELBASAN- Për më shumë se 6 orë, forcat policore dhe FNSH-ja dje blinduan Gjykatën e Shkallës së Parë të Elbasanit, ku nën masa të rrepta sigurie u zhvilluan seancat gjyqësore ndaj Florenc Çapjas dhe Arben Jaçes, të cilët akuzohen për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të këtij të fundit, Nezir Beqiri. Po dje u zhvilluan seancat gjyqësore dhe ndaj ishefektivave të policisë, Sami Derstila dhe Nehat Budani, që ishin caktuar për ruajtjen e 40-vjeçarit Beqiri, që ndodhej nën “Arrest shtëpie”. Rreth gjysëm ore para fillimit të seancave të planifikuara, u bllokua qarkullimi në rrugën që kalon pranë Gjykatës. Gjyqi (4 seancat e caktimit të masës së sigurisë për dy policët, si edhe për dy të dyshuarit e vrasjes së babë e bir, Gentian e Nezir Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në datën 15 gusht) nisi rreth orës 10:00 dhe vijoi deri në ora 16:00. Fillimisht në sallën e gjyqit janë paraqitur policët Sami Derstila dhe Nehat Budani. Trupi gjykues i kryesuar nga Ramazan Avdia, pasi ka dëgjuar pretendimet e prokurorit të çështjes, Binas Nina, i cili kërkoi masën “Arrest me burg”, dhe avokatët e të pandehurve në seancat përkatëse, në fund ka lënë në fuqi kërkesën e organit të akuzës për Sami Dërstilën dhe Reshat Budanin. 

POLICET 
Në seancën e caktimit të masës së sigurisë, policët Nehat Budani dhe Sami Derstila u mbrojtën nga avokatët Ilir Murra dhe Shkëlqim Duka, të cilët hodhën poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga ana e prokurorisë, me përjashtim të asaj që lidhej me shpërdorimin e detyrës. Gjatë gjithë seancës së caktimit të masës së sigurisë, në dëshminë e dhënë para trupit gjykues, polici Sami Derstila nuk ka qenë i qartë në deklarimin e bërë. Konfuz dhe mjaft i shpërqendruar si pasojë e traumës psikologjike që ka pësuar nga ngjarja, për të cilën ai është marrë dhe i pandehur, Derstila ka treguar disa nga detajet që mund të kujtonte. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar dëshminë e plotë të tij në sallën e gjyqit. 
Ku keni qenë në kohën që ka ndodhur krimi? 
Kam qenë si zakonisht me shërbim në lagjen “Çlirimi”. Në shërbim kam qenë së bashku me kolegun Nehat Budani. Me të marrë shërbimin, fillimisht jemi ngjitur në banesën ku ndodhej personi në “Arrest shtëpie”. 
Po më pas? 
Kemi zbritur para pallatit. Aty kemi dalë për të parkuar edhe një herë mjetin, pasi nuk e kishim lënë si duhej, pasi nuk donim të vonoheshim në marrjen e shërbimit. 
Ndërsa në fakt ku duhet të ishit? 
Në shërbim. 
Por nuk rezulton se ishit, apo jo? 
Gjithmonë kemi bërë kujdes dhe jemi treguar korrektë. Nuk e kuptoj se si ndodhi. 
Pra ju nuk keni komunikuar me askënd nga ata që janë ngjitur në apartamentin ku ndodhi ngjarja? 
Jo. As unë dhe as kolegu im Nehat Budini nuk kemi komunikuar me njeri. Kemi qenë bashkë kur morëm shërbimin, edhe kur zbritëm poshtë para pallatit, edhe kur u ngjitëm sërish. 
Kush e kuptoi se kishte ndodhur vrasja dhe si? 
Kur u ngjitëm në katin e sipërm ku ndodhej edhe apartamenti i personit nën masën e “Arrestit shtëpiak” u këmbyem me dy persona me moshë të re që po zbrisnin. U përshëndetëm dhe kur u larguan pak na bëri përshtypje ikja me të shpejtë. Atëherë nuhatëm se diçka e keqe mund të kishte ndodhur. U ngjita në banesë. Trokita, por s’mu përgjigj kush. Ula dorezën dhe pashë se dera ishte e hapur, gjë që nuk ndodhte kurrë. Pashë të shtrirë babain e Gentianit, ndërsa atë të mbuluar me gjak. Ndërkohë kolegu, Nehat Budani ishte vënë në ndjekje të personave të dyshimtë. 
Dhe pastaj? 
Sinjalizuam sallën operative. U shokuam. Nuk mbaj mend asgjë. Nuk di as kujt ia kam dorëzuar armën, kur më çuan në dhomën e izolimit.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›