ISHP: 11 mijë raste me viroza stinore, mjekët apelojnë për kujdes me ushqimin
Tiranë- Instituti i Shëndetit Publik ka deklaruar sot se është rreth 11 mijë numri i të prekurve nga virozat stinore në vend, të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore pranë urgjencave të spitaleve.
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, mësohet se gjatë një jave në vend raportohen mbi 11 mijë raste me simptoma të stinës, nga të cilat rreth 7600 janë raste me infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme, ndërsa rastet me diarre janë mbi 3400.
Nga ana tjetër mjekët apelojnë për më shumë kujdes nga temperaturat e larta si dhe me ushqimin e ujin e pijshëm, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
Bluzat e bardha e konsiderojnë këtë situatë si normale, por ndërkohë rekomandojnë për kujdesin në kapjen e sëmundjes së fazat e para të saj si dhe eliminimin e të qëndruarit në temperatura të larta dhe ndryshimet e ambientit nga i ftohti në të nxehtë.
Disa nga masat për shmangien e këtyre problemeve janë dhe konsumimi i ujit të sigurtë, larja e vazhdueshme e duarve, ruajtja e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve, sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezë, mish, qumësht, akullore, majoneza, mishi i pulës, peshku i freskët, etj.
/IDEA/