Shehu: Menaxhimi dhe kontrolli, me rëndësi për financa të shëndetshme publike

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi sot, në cilësinë e komisionit përgjegjës, projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023”.
Arben Shehu, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, bëri një prezantim të gjetjeve të raportit të KLSH për zbatimin e Buxhetit të vitit 2023, duke parashtruar se referuar ndryshimit përfundimtar të buxhetit të vitit 2023, rezulton se të ardhurat gjithsej janë realizuar në shumën 643,678 milionë lekë në krahasim me planin prej 650,109 milionë lekë ose 99%.
Sipas tij, shpenzimet gjithsej gjatë vitit 2023 janë realizuar në masën 96%.
Kreu i KLSH sqaroi më tej se financimi i deficitit buxhetor është realizuar 31,180 milionë lekë nga 55,498 milionë lekë të planifikuara, ndërsa stoku i borxhit publik përbën 58.9% të PBB, me një ulje prej 5.6% në krahasim me vitin 2022 që ishte 64.5%.
Shehu bëri një vlerësim të parashikimit buxhetor vlerësoi se performanca e sistemit të kontrollit të brendshëm në njësitë e qeverisjes së përgjithshme për vitin 2023 konsiderohet pjesërisht efektiv, ndonëse vlerësohet progresi në efektivitetin e kontrollit të brendshëm.
Ai u ndal në një vlerësim të parashikimeve dhe rishikimeve të buxhetit, përqendrimit të shpenzimeve publike në muajin dhjetor, fondin e rindërtimit, fondit rezervë, etj.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se rritja e cilësisë së planifikimit dhe raportimit buxhetor, në funksion të përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës së shpenzimeve publike, si dhe përmirësimi i monitorimit të buxhetit në tërësi, menaxhimit dhe mirëadministrimit të risqeve fiskale në rritje, duke përfshirë dhe çështjet e menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, janë të rëndësishme për sigurimin e financave të shëndetshme publike dhe besueshmërisë së kuadrit fiskal”, përfundoi Shehu.
Më pas deputetja Pranvera Resulaj, në cilësinë e relatores, bëri një përmbledhje të performancës makrofiskale dhe zbatimin e buxhetit të vitit 2023, objektivat e arritura, masat e marra për ruajtjen e parametrave makro-ekonomike sipas parashikimeve, etj.
Mbledhja vijoi me pyetje dhe diskutime të anëtarëve të komisionit.
/r.e/a.f/