Shehu, shëtitje poetike në Irlandë

Shkrimtari kosovar Fahredin Shehu, pas prezantimeve të poezisë shqipe në Bejrut dhe Tel Aviv, tani është fitues i garës së poetëve botërorë dhe nga data 1 deri më 9 gusht do të qëndrojë në Irlandë për të lexuar poezi në disa qytete të Irlandës.
Mbrëmja qendrore e poezisë në Fermoy Theatre do të mbahet më 4 gusht ku Fahredin Shehu do të lexojë poezi dhe do të flasë për kulturën shqiptare. Në këtë mbrëmje do të prezantohen edhe poeti holandez Jan Glass, i cili shkruan në gjuhën gronen si dhe Tsead Bruinja në gjuhën fries.
Fahredin Shehu është njëri ndër poetët tanë më të përkthyer në botë, i përfaqësuar në shumë antologji botërore. Ai po ashtu e ka përfaqësuar Kosovën nëpër shumë festivale botërore të poezisë.
Është autor i nëntë veprave në poezi dhe prozë. Libri i tij i fundit, ‘Pleroma’s Dew’, është botuar para disa muajsh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.