Shekulli zemëron Arvizu-në
Gazeta Shekulli kish dalë sot me një titull kureshtar: Ambasada Amerikane ndërpret marrëdhëniet me gazetën Shekulli (!); dhe poshtë ishte shënuar një WTF?!? Ky akronim ka plot kuptime në gjuhën angleze, por me siguri drejtorët e Shekullit kanë pasur në mendje akronimin jo fort gazetaresk: What The Fuck, i cili në versionin më didaskalik mund të sillet në formën: Çkuptim ka e gjithë kjo?!?
Po çfarë ka ndodhur, në të vërtetë? Ilir Yzeiri ka bërë një shkrim kritik ndaj ambasadorit Arvizu. Do ta nënshkruaja dhe unë atë shkrim. Të tërin. Me një përjashtim. Atë termin kinezëri nuk do ta përdorja; e para se smë vjen asnjëherë, ska gjë se ka hyrë shkujdesshëm (në fakt, pakujdesshëm) në gjuhën shqipe të përdorimit të përditshëm, dhe së dyti aluzionet qortuese apo zhvleftësuese që bëhen lidhur me identitetin etnik, religjioz, seksual, gjinor, politik, tribal, etj, etj, të interlokutorit janë krejt të pahijshme. Kjo ishte e vetmja rrëshqitje e Yzeirit. Sipas meje.
Dhe qejfmbetja dhe zemërimi i zotit Arvizu këtu e ka burimin. Çdo amerikan do kapej nga nervozizmi e zemërimi në rrethana të tilla. Unë ndihem solidar me të (nëse i lipset ky solidaritet). Por nuk më duket se ky fakt mjafton për të përligjur vendimin e Ambasadës për të ndërprerë marrëdhëniet me një gazetë. Është një vendim i nxituar, që i komplikon ca më tepër marrëdhëniet mjaft të komplikuara të zotit Arvizu me shtypin dhe median opozitare, të cilat ai ka treguar se nuk heq shumë për ti dalluar që larg. A nuk do ishte e udhës që Ambasadori ti shkruante gazetës, dhe kaq? Duhej bërë pikërisht kjo. Do duhet të bëhet edhe në të ardhshmen pasi, me çduken punët, kjo do të jetë situata në marrëdhëniet mes ambasadorit amerikan dhe shtypit që kritikon qeverinë. Nuk ka gjasa që palët të lëvizin nga pozicionet e tyre. Zoti Arvizu do të mbajë qëndrimet që po mban (ska arsye ta kthejë pllakën, apo jo?), dhe shtypi opozitar, do Zoti, do të mbajë të vetat.
Më poshtë po jap një përmbledhje të shkrimit të Ilir Yzeirit, të letrës që Ambasada Amerikane i ka dërguar Shekullit, dhe të përgjigjes që Adrian Thano i ka kthyer kësaj letre në emër të gazetës. Shpresoj që përmbledhja të mos ketë lënë jashtë gjëra, të cilat autorët do donin që të ishin në emër të një interpretimi më besnik të qëndrimit të vet.
Ilir Yzeiri: Ambasadori Arvizu ishte i ftuar në një emision televiziv dhe paraqiti edhe njëherë performancën e tij si një ambasador i vogël, (jo për nga shtati, por për nga statura), i një vendi të madh. Ambasadori i vogël i vendit të madh përmendi me cinizëm se edhe në Amerikë Garda ka vrarë në vitet ’70. Po është e vërtetë dhe shqiptarët e dinë se në Amerikë është vrarë edhe presidenti Kenedi, edhe Martin Luter Kingu, por askush në Amerikë nuk ka qenë në krah të vrasësve dhe askush në Amerikë nuk ka menduar qoftë edhe një ditë të vetme që të përkrahë vrasësit dhe të dënojë viktimat siç bëni ju, zoti Ambasador. Nga ana tjetër, nuk është e gjetur përpjekja që bëni ju për t’u treguar se jeni një njeri i dashur me popullin. Këtyre në shqip ne u themi “kinezërira”. Ju e njihni mirë psikologjinë e kinezëve të Maos dhe heroin Lej Fen. Ju mund të lexoni edhe romanin “Koncert në fund të dimrit” të shkrimtarit tonë të madh Kadare. Atje vizatohet bukur ajo që ne i themi “kinezëri”. Në fakt, historia që treguat mbrëmë me atë që ju bëtë kur shkuat të darkoni me zotin Kantrimen te “Tajvani”, pra historia që treguat ju me atë gruan me fëmijën që ju e takuat dhe përkëdhelët edhe fëmijën, të më ndjeni, po nuk ishte e gjetur. Ky lloj populizmi në Shqipëri nuk ngjit, përkundrazi bën efekt të kundërt.
Ambasada e SHBA-ve: Po ju shkruaj për t’ju informuar që Ambasada e SHBA ka vendosur të ndërpresë marrëdhënien e saj profesionale me gazetën ‘Shekulli’ deri në një njoftim të mëtejshëm. Ambasada e ka marrë këtë vendim në përgjigje të një opinioni nga Ilir Yzeiri, botuar në gazetën tuaj më datën 9 prill, me titull, “Intelektualët dhe Ambasadori i Vogël i një vendi të Madh.” . Artikulli i Z. Yzeiri shkoi shumë përtej kufijve të gazetarisë profesionale dhe opinioneve. Përkundrazi, kapërceu kufirin dhe u shndërrua në një sulm personal të papërshtatshëm dhe ad-hominem ndaj Ambasadorit Arvizu dhe Shteteve të Bashkuara. Përgojimet e lidhura me racën dhe etninë veçanërisht ishin të pavend për një gazetë, e cila pretendon të përfaqësojë opinionin kryesor.
Adrian Thano: Ky “vendim”, siç ju e quani në letrën tuaj, me gjasa është i pari i këtij lloji në historinë e gazetarisë; sigurisht i pari që aplikohet në Shqipëri, (ndoshta në botë) nga një ambasadë drejt një gazete dhe të kujton kohë krejt të tjera, por pak rëndësi ka kjo. Ju keni zgjedhur një rrugë ekstreme që jua keni shkëshilluar më forcë të tjerëve: bojkotin. Ju mund të zgjidhnit një formë reagimi publik normal ndaj opinionit që kontestoni, pra një replikë, apo diçka të ngjashme dhe ne do ta botonim atë. Kurse reagimi në një formë të tillë dëshmon nervozizëm, që ndoshta ju vjen nga performanca shumë e kritikueshme publike që ju zoti ambasador keni konsumuar këto muaj të qëndrimit tuaj në Shqipëri. Ju shkruani, se “Ambasada nuk do t’i dërgojë më gazetës ‘Shekulli’ njoftime për shtyp, apo deklarata të Ambasadës…”. Ju kujtojmë që në çdo rrethanë jemi ne që vendosim, nëse do të botojmë një njoftim për shtyp dhe jo anasjelltas. Në fund të letrës, ju shkruani diçka fyese. Citoj: “Shpresoj që në të ardhmen gazeta ‘Shekulli’ do të marrë këtë detyrë më seriozisht dhe do të ribashkohet me radhët e gazetarisë së përgjegjshme”.
I nderuar ambasador! Është e dyta herë që merrni përsipër të fusni “Shekulli”-n nëpër klasifikime. Ndoshta është rasti t’ju themi që gazeta “Shekulli” ka 15 vjet që është në opozitë. Ju jeni i ri në Shqipëri, u lini radhë të tjerëve, të gjykojnë, nëse opozicioni ynë për të cilin kemi paguar dhe vijojmë të paguajmë kosto të larta, është “i përgjegjshëm”, apo jo. Ushqejmë si gjithë populli shqiptar ndjenjat më miqësore ndaj popullit amerikan. Mos e mbivlerësoni veten dhe mos përfitoni nga kjo ndjenjë. Pranoni një sugjerim, ashtu si ne pranojmë përditë sugjerimet tuaja: Nuk ia vlen barra qeranë që për një qeveri gangsterësh, të mbillni në zemrën e një prej popujve më filoamerikanë në botë, ndjesi të tilla.
