Shembet me shpërthim të kontrolluar objekti trekatësh pa leje në Vlorë dhe 2 ndërtesa në Sarandë. Rama: T’i japim fund paligjshmërisë

Një objekt trekatësh i ndërtuar pa leje është shembur mëngjesin e sotëm, (11 gusht), me shpërthim të kontrolluar pranë aksit rrugor Vlorë–Orikum.
Inspektorati Kombëtar i Territorit (IKMT) njoftoi se operacioni u zhvillua në orën 07:30, duke përdorur 32 kilogramë lëndë plasëse. Për këtë proces, u hapën 410 furnela dhe u shtrinë rreth 1,100 metra linearë fitil detonant.
Sipas IKMT-së, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit u morën të gjitha masat e sigurisë, përfshirë bllokimin e përkohshëm të aksit rrugor dhe ndërprerjen për disa minuta të furnizimit me energji elektrike në zonë.
Në reagimin e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi aksionin si pjesë të betejës për t’i dhënë fund ndërtimit pa leje
“Me këto pamje nga përballja me paligjshmërinë që lëndon e shëmton hapësirat ku bashkëjetojmë si bij e bija të këtij vendi, e ku do ta shkruajmë me se s’bën kapitullin e fundit të betejës me ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejeve, ju uroj një javë sa më të mbarë”, shkruan Rama.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
Edhe në qytetin e Sarandës janë prishur dy objekte pa leje gjatë aksionit të përbashkët mes IMT dhe Policisë Bashkiake të Sarandës. Ndërhyrja është kryer në zonën “Baba Rexhep” në lagjen 4 të qytetit të Sarandës. Dy objektet e shembura kanë rezultuar të ndërtuara pa leje dhe jashtë kritereve të lejuara nga ligji.
Aksioni u krye në kuadër të operacioneve për shembjen e ndërtimeve informale, veçanërisht në zonat turistike, ku autoritetet synojnë lirimin e hapësirave publike.
/rtsh.al/