E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vriten 5 gazetarë në një sulm izraelit në Gaza, Al Jazeera: Sulm i synuar ndaj stafit tonë. IDF: Ishin të lidhur me Hamasin

Pesë gazetarë të rrjetit Al Jazeera janë vrarë në një sulm izraelit pranë spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, në atë që transmetuesi e ka cilësuar si një “sulm të synuar” ndaj stafit të tij.

Mes viktimave ishte edhe korrespondenti Anas al-Sharif, të cilin Izraeli e ka akuzuar si anëtar të Hamasit. Së bashku me të u vranë edhe korrespondenti Mohammed Qreiqeh dhe kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa. Sipas Al Jazeera-s, ata ndodheshin në një tendë për gazetarët pranë portës kryesore të spitalit.

Al Jazeera mohoi që gazetarët e saj të kenë lidhje me Hamasin dhe e cilësoi sulmin si “një tjetër akt të paramenduar kundër lirisë së shtypit”. Transmetuesi me seli në Katar tha se Anas al-Sharif ishte një gazetar i akredituar dhe “zëri i vetëm” që përcillte realitetin e konfliktit nga Gaza.

Në deklaratën e saj, Al Jazeera dënoi ushtrinë izraelite, duke e akuzuar për “shënjestrim të qëllimshëm” të gazetarëve dhe përpjekje për të “heshtur zërat që ekspozojnë pushtimin dhe shkatërrimin e Gazës”.

Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) pranuan se kishin në shënjestër Anas al-Sharif, duke e akuzuar si “kreun e një qelize terroriste të Hamasit” të përfshirë në hedhjen e raketave drejt Izraelit. IDF tha se zotëron “dokumente të qarta” që provojnë lidhjen e tij ushtarake me Hamasin, përfshirë lista personeli, dokumente trajnimi, drejtorë telefonike dhe dokumente pagash.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), 186 gazetarë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza në tetor 2023.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›