E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet tarraca e ndërtesës ku mblidhnin hekur, 2 të vdekur, 3 të plagosur

ERSEKË- Kanë qenë duke mbledhur hekur për ta shitur për skrap, kur tarraca e ndërtesës i ka zënë poshtë dhe ka lënë të vdekur dy prej tyre dhe plagosur tre të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi sot pasdite në magazinat e ish Ndërmarrjes së Grumbullimit, në qytetin e Ersekës, në afërsi të fshatit Psar, në momentin që pesë të rinjtë, të moshës 10-21-vjeç po mblidhnin mbeturina hekuri për t'i shitur.
Sipas burimeve të policisë, nga shembja e tarracës gjeti vdekjen 21 vjeçari Fatjon Shkoza dhe 12-vjeçari Sh. Shkoza.
Ndërkohë që të plagosur mbetën Altin Shkoza, 23-vjeç; E. Shkoza, 12-vjeç dhe
K. Shkoza, 7-8 vjeç.
Menjëherë pas ngjarjes kanë ndërhyrë forcat e policisë dhe zjarrfikëses, që kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave nga rrënojat dhe vetëm tre prej tyre kanë shpëtuar gjallë. Ata janë transportuar për në Spitalin Rajonal të Ersekës dhe më pas për kujdes më të specializuar në Spitalin Rajonal të Korçës. Sipas mjekëve, mësohet se ata janë jashtë rrezikuar për jetën.
Policia pasi ka bërë hetimet në vendin e ngjarjes ka konstatuar se tarraca është shembur si pasojë e punimeve të kryera në ndërtesë, të cilat kanë dëmtuar konstruktin mbajtës të saj.
Vetëm pak kohë më parë, një tjetër fëmijë në Shkodër gjeti vdekjen, pasi u zu poshtë nga një kamion mbeturinash, teksa ishte duke kontrolluar në plehra. Punë, që e bënte për të nxjerrë bukën e gojës.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›