Berisha: Marrëveshja me Ilir Metën
Kryeministri Berisha ka komentuar dje situatën paszgjedhore dhe koalicionin me LSI-në, duke premtuar se marrëveshja e tij me Ilir Metën është stabël dhe do zgjasë katër vjet.
Ai nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me ministritë që po diskutohen, por ka shpjeguar se numrat i japin një qeverisje të qetë.
Opozita u akuzon se po grabisni mandatin e Fierit...
Opozita ka të drejtë të bëjë vërejtje. Uroj që opozita të mos bëhet opozitë e kutisë. Rriti tensionin për Beratin, u numërua kutia e Beratit. Do numërohen kutitë e Fierit. Nuk ka asnjë tendencë të mohojë të drejtën, edhe qoftë të një vote.
Por, si opozita dhe pozita, në këtë proces duhet të kërkojnë zbatimin e ligjit dhe unë që ditën e parë jam shprehur ligji, ligji dhe vetëm ligji. Zoti Rama nuk më telefonoi, e humbi rastin.
S'kemi pasur deri më sot asnjë koalicion real. Kemi pasur koalicione ku janë ndarë pushtete, si ai i Nanos në 1997-ën, por s'kanë pasur nevojë për vota...
Koalicioni është i diktuar nga rezultati i zgjedhjeve, por të garantoj se, edhe po të mos kish qenë i diktuar nga rezultati, do synoja koalicion. Edhe nëse do kisha 73, deputetë do t'i ofroja LSI-së hapjen drejt saj.
Nëse LSI-ja nuk do pranonte apo nuk do ishte, do t'i drejtoheshit PS-së?
Pa diskutim. Por ndodhi që me LSI-në krijohet një koalicion plotësisht i qëndrueshëm, me 75 vota. Do ishte gabimi më i madh po të shkoje te koalicioni më i gjerë, sepse do lije vendin pa opozitë.
4 deputetë nuk mund të konsiderohen opozitë. Opozita është pushteti moral i vendit. Tani ç'ndodhi? Sapo unë iu drejtova zotit Meta, zoti Rama bëri çdo përpjekje për të mos lejuar një koalicion të tillë. Së pari, ofroi me kërcënim koalicionin, me emisarët e tij, ose koalicion, ose s'do njohim rezultatin dhe do dalim në rrugë.
Ka pasur një ofertë të zotit Rama që, nëse bëni koalicion me të, do njohin zgjedhjet?
Nëse s'bëja koalicion me të, s'do bëja zgjedhjet. Të paktën ata që kanë folur në emër të tij. Pra, sipas tyre, vendi të bëjë një koalicion të gjerë, përndryshe nuk njohim zgjedhjet dhe do dalim me njerëz në rrugë. Dilni u thashë. Shqipëria është vend i lirë, por unë koalicion nuk bëj. Së dyti, oferta tjetër e dëshpëruar: Të japim ne 6 deputetë, por me Metën mos bëj koalicion.
Jo zotëri. Meta ka 87 mijë vota dhe ka 4 deputetë dhe një deputet i Metës ka një bazë më të gjerë se çdo deputet i PD-së dhe i PS-së. Me këtë kombinim PD-LSI, përfaqësimi elektoral arrin në 52%, me këtë përfaqësim zgjidhet çdo President dhe çdo qeveri kudo në botë.
Por ama keni vetëm 74 vota, që s'janë shumë stabël...
Janë shumë stabël, sepse e di ti ligjin e Kushtetutës. Ky do të jetë një nga koalicionet më stabël.
Edhe marrëdhëniet tuaja me Metën do jenë stabël?
Politika është marrëveshje, shumë stabël.
Pavarësisht se ju keni marrë pjesë në kodin që e penalizoi LSI-në?
Nëse ka një forcë politike të persekutuar 8 vite më radhë, është LSI-ja.
A do të merrnit ju vota të trafikuara nga PS-ja për të mbushur 71?
Asnjë të vetme.
A keni bërë tratativa?
Me asnjë njeri të vetëm. E kam deklaruar që ditën e parë: Do bëj koalicion, sepse unë mora 47% të votave, Meta mori 5.8% dhe kjo do të thotë gati 53%. Këtu ecet me moral. A mund të vijnë, do thuash ti? Se çfarë bëjnë deputetët gjatë rrugës së tyre, ajo është në të drejtën e tyre, por unë qeverisjen time do ta bëja në mënyrë transparente.
Marrëdhëniet tuaja me Metën që kanë qenë problematike, do funksionojnë?
Do funksionojnë plotësisht. Unë e kam faktuar këtë. Nëse unë ftoj një njeri për bashkëpunim, nuk e bëj kurrë atë me dy mendje. Unë e konsideroj jetik bashkëpunimin me luajalitet të plotë.
Ky bashkëpunim do të prekë vetëm qeverinë apo edhe zgjedhjet e ardhshme lokale?
Ajo që është e veçanta e këtij bashkëpunimi, janë diskutuar dhe trajtuar çështjet programore si integrimi, punësimi dhe probleme të tjera.
Keni filluar negociatat me zotin Meta?
Po, sigurisht që kam nisur negociatat.
Personalisht me zotin Meta, apo s'jeni takuar ende me të?
Zoti Meta e drejton LSI-në. Me ndërmjetës apo direkt..., komunikimi është intensiv, sepse do qeverisim katër vite dhe po përgatisim qeverisjen katërvjeçare. Koalicioni përfshin zgjedhjet lokale. Pa diskutim që do bashkëpunojmë në zgjedhjet lokale me njëri-tjetrin.
Ndryshimin e Kodit? Si do ta bëni këtë, u duhen 84 vota?
Shpresoj që pësimi të bëhet mësim. Nuk shkohet duke përdorur ligjin ndaj kundërshtarit. Përdoret standardi. Standardi kërkon që ai të jetë i përfaqësuar në KQZ dhe në të gjitha komisionet.
A do prekë ky koalicion edhe Presidentin e ardhshëm?
Bashkëpunimi është i plotë, 4-vjeçar.
Që do të thotë se brenda mandatit mbaron dhe mandati i Presidentit...
Po lëre Presidentin. Ta nisësh 3 vjet para diskutimin për Presidentin, nuk është e fisshme. Nuk ka diskutim që bashkëpunimi shtrihet për të gjitha zhvillimet e mëdha 4-vjeçare.
Sa ministri do të jenë?
Me koalicionin do të diskutohet. Numri është çështje negociatash me koalicionin.
Kush do të jetë në qeveri?
As unë nuk e di, sepse do përcaktohet koalicioni.