E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet tuneli i Kalimashit

Si pasojë e lëvizjeve gjeologjike, një pjesë dhjetëra metra, në mes të tunelit jugor të Thirrës në Kalimash është shembur.

Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në kompaninë ndërtuese Bechtel-Enka, Ela Ruqi, pranon se ka pasur rënie masivi shkëmbor në pikën ku ishin bashkuar makineritë e gërmimit nga të dyja anët e që për fat të mirë nuk ka pasur dëme në njerëz e makineri. Për shkaqe sigurie, ajo thotë se të gjitha hyrje daljet në tunel janë bllokuar dhe punëtorët e kompanisë po punojnë në heqjen e gurëve dhe dheut të rënë në tunel.

Është një lëvizje gjeologjike e malit në tunelin jugor që është në punim e sipër, thekson Ruqi. Sipas saj, shembja ka ndodhur për shkak të cilësisë së dobët të shkëmbit, pasi që gërmimet janë bërë në të dyja anët e tunelit dhe në pikën e bashkimit të makinerive është shkaktuar dridhja. Ruqi thotë se kjo është pjesë e punës dhe trafiku në krahun tjetër që ishte lëshuar në qarkullim është mbyllur për të evituar rrezikun e mundshëm derisa të përforcohet vendi ku ka ndodhur lëvizja.

Po punohet në zemër të malit dhe tani gërmimet kanë përfunduar. Jemi në fazën e izolimit dhe përforcimit të tunelit. Trafiku do hapet kur do të kemi përfunduar punët, thekson Ruqi.

Ndërkaq, mediet në Shqipëri, raportojnë se shembjet kishin nisur më 5 nëntor dhe se vetë përgjegjësi i firmës kishte kontaktuar me punëtorët për ti informuar për shembjen duke i paralajmëruar për rrezikun.

Personat që punojnë në tunelin e Thirrës thonë se shembja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të enjtes, rreth orës 20:00 derisa kanë qenë duke punuar në brendësi të tunelit, kur një masiv dheu ka rënë në pjesën veriore të tunelit.

Punëtorët thonë se shembja është e konsiderueshme dhe shtrihet në një gjatësi lineare prej 100 metrash. Në këtë hapësirë ata thonë se tashmë nuk ka dritë dhe është bërë shumë e vështirë për ta pastruar. Banorët e zonës, të cilët kanë qenë dëshmitarë të shembjes, janë shprehur se në fillim të saj është dëgjuar një zhurmë dhe tronditje e madhe, e cila ngjasonte me një tërmet disa ballësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›