E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit, Prokuroria kundër Gjykatës: U dënuan pak

GJIROKASTËR- Prokuroria e Gjirokastrës kundërshton vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e 7 të akuzuarve për shembjen e pallatit, duke pranuar se dënimi i dhënë është shumë më i lehtë nga sa ishte kërkuar dhe sa meritohej.

Organi i akuzës e ka vlerësuar vendimin e gjykatës të padrejtë dhe do ta ankimojë atë në Gjykatën e Apelit. Sipas prokurorisë, ndonëse ngjarja e datës 09.09.2008 ka pasur tri viktima, i pandehuri kryesor është deklaruar fajtor vetëm një herë për veprën penale të "Vrasjes nga pakujdesia", parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal.

"Gjithashtu përveç cilësimit ligjor për të pandehurin kryesor të ngjarjes, i padrejtë vendimi është cilësuar dhe për sa i përket fajësisë së zyrtarëve të bashkisë, të ngarkuar me mbikqyrjen e punimeve të ndërtimit. Për këto arsye, vendimi i sotëm do të ankimohet në Gjykatën e Apelit Gjirokastër", thuhet në këtë deklaratë për shtyp.

Në dt. 20 tetor, Prokuroria e Gjirokastrës kërkoi shpalljen fajtorë të 7 të akuzuarve për veprat penale të "Vrasjes në rrethana të cilësuara", "Shpërdorim i detyrës" dhe "Shkatërrim i pronës me dashje" dhe dënimin në total me 38 vjet heqje lirie, ndërsa në vendimin e marrë nga trupi gjykues 3 të pandehur u deklaruan të pafajshëm, ndërsa katër të tjerët u dënuan me një total prej 12.6 vjet heqje lirie.



Shembja e pallatit, gjykata jep vendimin për fajtorët

GJIROKASTËR- Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka dhënë sot vendimin për 7 të akuzuarit si shkaktarë të rrëzimit të pallatit 5- katësh në lagjen "11 janari", ngjarje e ndodhur një vit më parë.


Pas një sërë seancash gjyqësore, trupi gjykues ka vendosur të dënojë me 6 vjet heqje lirie presidentin e firmës ndërtuese "Arti shpk" Sotiraq Janorën.


Ka denuar me 2.6 vjet heqje lirie, 500 mijë lekë gjobë e 3 vjet heqje të drejte në ushtrimin e funksioneve publike, sekretaren e KRRT-së së Bashkisë Afërdita Papamihali.


Ndersa për ish- shefin e Inspektoriatit të ndërtimit në bashki Admir Shehaj gjykata ka dhene 2 vjet burg, 500 mijë lekë gjobë e 3 vjet heqje të drejte në ushtrimin e funksioneve publike.


Inxhinieri i ndërtimit i firmës "Arti shpk", Gjergji Meçe u denua me 500 mijë lekë gjobë e 3 vjet heqje të drejte në ushtrimin e funksioneve publike.


Ndërsa ka shpallur të pafajshëm shefin e urbanistikës në Bashki, Alfred Mamani si dhe punonjësit e Inspektoriatit të ndërtimit Leonard Mustafaraj e Petrit Maksuti, të cilët janë gjobitur me 500 mijë lekë dhe me masën e heqjes 3 vjet të së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike.


Prokuroria kishte kërkuar në total 38 vjet heqje lirie për 7 të pandehurit, ndërsa gjykata ka vendosur vetëm 12.6 vjet vetëm për 4 prej të pandehurve.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›