Ekzekuton 46-vjeçarin, arrestohet roja i fabrikës
SHKODËR- Ka vrarë me armë zjarri një 46-vjeçar dhe më pas, teksa ka parë se policia ishte vënë në ndjekje të tij është dorëzuar. Ngjarja ka ndodhur në Shkodër, ku sipas policisë viktima Bashkim Bajri ka tentuar të hyjë në një fabrikë në zonën industriale të qytetit ku roje ishte autori. Roja nuk e ka lejuar, por sipas të dhënave që ka grumbulluar policia, Bajri ka hyrë me forcë. Aty janë grindur të bashku dhe janë përleshur. Në këtë moment, sipas policisë roja ka qëlluar me armë në drejtim të 46-vjeçarit, duke e goditur në pjesën e barkut.
Viktima është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur të shpëtojë dhe ka ndërruar jetë. Autori, fillimisht është larguar për t'i shpëtuar policisë, por më pas kur nuk ka parë rrugë shpëtimi ka pranuar të dorëzohet.
Kjo është vrasje e shtatë që ndodh në qarkun e Shkodrës që nga fillimi i këtij viti dhe e dyta në harkun kohor të një muaji.