E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shemsi Prençi, sherr me grushte me përmbaruesin

Shemsi Prençi

Ish-drejtori i Policisë së Dibrës, Shemsi Prençi, u përfshi mbrëmjen e djeshme në një konflikt fizik me një përmbarues privat. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Spitalit Ushtarak në Tiranë. Shemsi Prençi ka pasur fillimisht një konflikt verbal e më pas është përleshur me shtetasin Baftjar Neli. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00. Policia e Komisariatit Nr.3 është njoftuar në lidhje me ngjarjen dhe ka mbërritur menjëherë në vendin e konfliktit. Pas konstatimit të rrethanave të ngjarjes ku Prençi dhe përmbaruesi privat po vazhdonin konfliktin, policia ka ndërhyrë duke i shoqëruar të dy personat në komisariat. Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit, përmbaruesi privat ka pasur një konflikt për shkak të detyrës me ish-drejtorin e Policisë së Dibrës, tashmë i përjashtuar. Nga deklarimet që shtetasi Baftjar Neli ka dhënë mbrëmë në Komisariatin Nr.3, është mësuar se ai ka pasur një konflikt me Shemsi Prençin në kohën kur ai drejtonte Policinë e Dibrës pak muaj më parë. Kam pasur detyrimin ligjor për ekzekutimin e një vendimi gjykate. Jam paraqitur për të bërë zbatimin e vendimit të gjykatës pranë minierës së Bulqizës, por jam penguar në mënyrë arbitrare e të paligjshme nga Shemsi Prençi, ka thënë përmbaruesi privat. Burimet cituan dëshminë e tij në polici, duke thënë se Shemsi Prençi u kishte dhënë urdhra verbalë vartësve të tij në polici për të mos lejuar zbatimin e vendimit të gjykatës. Gjatë dëshmisë së dhënë në polici, përmbaruesi privat ka shpjeguar se konflikti i tij me Shemsi Prençin ka arritur deri aty, sa drejtori i Policisë së Dibrës e ka kërcënuar për shkak të detyrës. Pas kësaj ngjarjeje, Policia tha se përmbaruesi privat kishte bërë denoncim për akuzën e kanosjes për shkak të detyrës.
Përjashtimi nga Policia
Shemsi Prençi u shkarkua nga detyra në prill pas inspektimit të kryer për punën e bërë prej tij në funksionin e drejtorit të Policisë së Dibrës. Më 25 prill, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi se kishte nisur që në datën 23 prill procedimin disiplinor ndaj Shemsi Prençit. Ai, sipas deklaratës së Policisë, kishte krijuar marrëdhënie problematike me personelin e Komisariatit të Policisë Bulqizë, të cilët i ka fyer disa herë në rolin e eprorit si drejtor i Policisë së Qarkut. Sipas Policisë, Prençi ka krijuar marrëdhënie problematike me institucionet, pasi ka përdorur fjalë fyese ndaj përmbaruesve gjyqësorë të Matit. Referuar inspektimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Prençi akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me ligjin, kur ka ndërhyrë në bllokimin e kamionëve të ngarkuar me material kromi. Prokuroria e Dibrës dhe Matit i kanë cilësuar të paligjshme veprimet e kryera nga Shemsi Prençi në drejtimin e Policisë së Dibrës, dhe kjo ishte një tjetër pikë kritike për punën e Prençit. Marrëdhënia problematike e tij me Policinë u bë publike të paktën pas zgjedhjeve të 8 majit. Prençi denoncoi në Prokurori zv. ministrin e Brendshëm, Avenir Peka, duke e akuzuar për kanosje dhe fyerje për shkak të detyrës. Prokuroria i gjeti të pabazuara akuzat e Shemsi Prençit dhe, pasi pyeti personat e përmendur në kallëzim, arriti në përfundimin se dosja në fjalë duhej pushuar për mungesë të elementeve të veprës penale. Prençi kishte vetëm pak muaj që ishte emëruar drejtor Policie në Dibër, pasi më parë ka qenë titullar i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Policinë e Shtetit.                          e.d

Shkeljet e Prençit
. Ka fyer personelin e Komisariatit të Policisë Bulqizë
. Ka fyer me fjalë të rënda një përfaqësues të Zyrës së Përmbarimit Mat
. Ka dhënë masa disiplinore për vartësit në mënyrë tendencioze
. Ka kryer lëvizje të personelit të pamotivuara dhe në kundërshtim me rregulloren e personelit të Policisë së Shtetit
. Ka kryer veprime arbitrare në kundërshtim me ligjin, bazuar kjo dhe në vendimet e prokurorive të rrethit gjyqësor Dibër dhe Mat, të cilat i kanë cilësuar të paligjshme veprimet e kryera nga strukturat e Policisë së Qarkut Dibër për sekuestrimin e kamionëve të ngarkuar me mineral kromi, veprime këto të urdhëruara prej tij në cilësinë e drejtorit të Policisë së Qarkut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›