E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndetësi, ISHP: 280 mijë persona vuajnë nga Hepatiti B dhe C

Shqiptarët janë një ndër popujt e Europës të prekur më shumë nga hepatitët viralë B dhe C. Të cilësuara si epidemi të bardha, viruset e tyre përhapen në mënyrë të fshehtë, shpesh pa e ditur njerëzit që janë bartës të tyre dhe pa ditur riskun e zhvillimit të një sëmundjeje të rëndë në trupin e tyre, me vdekshmëri të lartë. Sipas një studimi të fundit të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik, rreth 250 mijë persona në vendin tonë janë të infektuar nga virusi i Hepatitit B dhe 30 mijë të tjerë janë të infektuar nga virusi i Hepatitit C. 

"Shqipëria, në lidhje me Hepatitin B, ka prevalencën më të madhe në Europë. Në krahasim me shumë vite përpara, kur prevalenca ka qenë 20 për qind, tani është ulur në 6 për qind, pavarësisht se mbetet ende shumë për t'u bërë. Futja e vaksinës së Hepatitit B dhe shtrirja e programit të parandalimit të Hepatitit B tek fëmijët dhe tek adoleshentët, ka bërë që në këtë grup moshash, kjo sëmundje pothuajse të eliminohet", - tha Silva Bino, shefe e sëmundjeve infektive. Viruset e hepatiteve janë A,B,C,D dhe E. Më problem tek shqiptarët është virusi B dhe C. Virusi B gjendet në gjak dhe përhapet nga kontakti seksual, nga nëna shtatzënë tek fëmija, transfuzionet e shpeshta të gjakut apo shiringat dhe aget josterile. Personat e prekur nga virusi B mund të jenë thjesht bartës të tij, por raste të tjera të cilat avancojnë shpejt mund të jenë bartës kronikë dhe janë të rrezikuar të pësojnë hepatit kronik, cirrozë apo kancer të mëlçisë. Ndaj mjekët bëjnë apel për testimin e popullatës dhe trajtimin e mëtejshëm.
(e.m/e.hoxhaj/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›