E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetësia, me forma të reja siguracionesh

Intervista Flet kreu i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu: Sigurimet shëndetësore, mbi 3.4% e pagës

Sikundërse “evolucioni” dhe modernizimi ka prekur shumë fusha të jetës shqiptare, duhet të vendosë dorë edhe në sistemin shëndetësor. Konkretisht, duke nisur nga format e reja të siguracionit shëndetësor, të shoqëruara me reforma e “garniturën” e nevojshme, ashtu edhe me sofistikimin e shërbimit shëndetësor, drejtimin e politikave mjekësore dhe ndërmarrjen e iniciativave të reja specifike e teknike. Po ashtu, masa e sigurimeve shëndetësore, që na mbahet nga paga çdo muaj, duhet të jetë edhe më e madhe për shërbimin shëndetësor. Kjo si për përmirësimin e shërbimit që marrin, por edhe për ulje të shkallës së korrupsionit. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, kreu i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu, sqaron mbi ndryshimet nëpër të cilat duhet të kalojnë politikat shëndetësore, si dhe kërkesat e nevojshme për shërbimin shëndetësor sot, në vitin 2010. Për sa u takon sigurimeve, sigurisht që ato duhet të rriten, por po mendohet për forma të reja të cilat do të përfshijnë edhe ndryshime të masës së pagesës ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve.

A mendoni që duhet të ketë një rritje të kontributeve direkte për shëndetësinë?

Në momentin që ne në parim kemi zgjedhur sistemin miks të financimit, të ngjashëm me atë Bismark dhe po punojmë për ta implementuar atë që në vitin 1993, unë mendoj se këtu nuk ka vend për dyshime. Deri më sot askush nuk e ka rivendikuar këtë sistem dhe as ka kërkuar që të kalohet në sisteme të tjera. Pra, gjërat nuk mund të lihen në mes të rrugës dhe pa formë të plotë. Kjo do të ishte gjëja më e keqe. Në këto kushte unë mendoj se kontributet direkte duhet të rriten. Sot janë shumë të ulëta, 3,4% të ndara 1,7% dhe 1,7% midis të punësuarit dhe punëdhënësit. Po kështu mund të ndryshojnë dhe raportet në pjesëmarrje midis të punësuarit e punëdhënësit në këto kontribute. Megjithatë kjo nuk mund të jetë një lëvizje në vetvete, e izoluar, se ashtu nuk do të kishte kuptim, por e shoqëruar me ndryshime të tjera në fushën e financimit e menaxhimit të të gjithë sistemit shëndetësor. Veçanërisht kjo ka lidhje me forcimin e skemës së sigurimeve, zgjerimin e saj drejt spitaleve, implementimit në ato të konceptit “spitali ndërmarrje”, krijimin e tregut të vërtetë të shëndetit te ne.

Unë mendoj se forcimi i mëtejshëm i përqindjes së kontributeve direkte në financimin e sistemit të shëndetësisë, që sot bazohet kryesisht mbi taksimin e përgjithshëm, veçse do ta bënte më transparente këtë gjë, më të ndërgjegjshëm qytetarin për kontributin që realizon, më kërkues atë për cilësinë e shërbimit dhe do të ulte disa shfaqje korruptive.
Nga ana tjetër, kjo nuk pengon për vazhdimin e aplikimit të skemave sociale, me të ardhura nga taksimi i përgjithshëm, nëpërmjet sistemit të sigurimeve.

Sipas jush, rritja e masës së kontributit shëndetësor do të sjellë uljen e numrit të kontribuuesve?

Jo, unë mendoj se sistemi i mbledhjes mund të funksionojë njësoj. Pa dyshim përmirësimet e korrigjimet janë të domosdoshme. Dhe sot, me gjithë këto vlerat kaq të ulëta të kontributeve, ne përsëri nuk i mbledhim si duhet. Pra defekti duhet kërkuar e korrigjuar diku tjetër. Masat e fundit kanë influencuar pozitivisht në këtë drejtim, drejtim që duhet vazhduar të punohet me ngulm. Këtu përfshihet sistemi i vjeljes, edukimi i njerëzve që shëndetësia kushton, që po të paguash një herë nuk ke nevojë të paguash përsëri nën dorë në spital apo në ambulator. Pra kërkohet një punë e gjerë, e gjatë, e përpunuar dhe e kombinuar mirë me reforma e masa të tjera në sistemin shëndetësor. Sot ne kontribuojmë me sukses për forma të tjera siguracionesh, që nga automjetet, banesat. Duhet të pranojmë se dhe për shëndetin duhet ta bëjmë po këtë, madje në krye të çdo gjëje. Ndërsa siç thashë, kjo gjë nuk cenon e nuk duhet të cenojë aspak politikat sociale për shtresa të ndryshme të popullsisë.

Pa dyshim gjithçka lidhet me forcimin e rolit të vetë institucioneve, decentralizimin e tyre, format e ndryshme të menaxhimit në ato, zgjerimin e privatizimit, mbështetjen e mëtejshme të privatit me mënyrat e financimit.

Sistemi shëndetësor duhet të marrë përfundimisht tiparet e një sistemi social në një vend me ekonomi tregu dhe qytetarët të ndërgjegjësohen për këtë. Vetëm kështu do të rritet cilësia e shërbimit dhe do të përmirësohet raporti esencial kosto, cilësi-shërbim.

Konkretisht, a po merren iniciativa në këtë drejtim?

Pa dyshim që po. Ka një punë intensive për të shtyrë reformat në shëndetësi sot. Gjithashtu ka një strategji të përpunuar në princip që në vitin 1993. Ministria përkatëse pa dyshim po përgatit ndryshimet e mëtejshme. Ju e dini që prej dy vitesh po punohet për të zgjeruar skemën e sigurimeve drejt spitaleve, pasi u implementua në nivelin e mjekut të familjes tashmë. Një gjë duhet të kuptojmë, se reforma në shëndetësi është reforma më e vështirë që implementon një vend për larmishmërinë e saj, elaborimin që kërkon, hapësirat që zë. Kjo kërkon dije të thella e profesionalizëm. Unë dua të them se nuk ka modele të gatshme për t’u implementuar kjo. Këto janë vetëm orientative dhe duhen përshtatur me kompetencë nga ne. Përveç kësaj, këtu kërkohet një mirëkuptim jo vetëm i qytetarëve, por dhe i personelit shëndetësor në përgjithësi.

Ju flisni për profesionalizëm. A i kemi ne këto mundësi?

Unë mendoj se ne kemi kapacitete njerëzore, por për të qenë realist, janë të pamjaftueshme për të gjitha dimensionet e reformës. Megjithatë, kjo do të thosha se është një pengesë relative dhe e pjesshme. Në vitet 1992, kur ne filluam reformën shëndetësore dhe vumë shumë nga piketat e saj, padyshim të tilla kapacitete kishim shumë më pak se sot.

Tashmë është krijuar një eksperiencë e vyer, shumë janë shkolluar e kualifikuar jashtë vendit, shumë të tjerë këtu. Unë në asnjë mënyrë nuk përjashtoj nevojën e asistencës teknike me specialistë të huaj, siç është ndërtimi i sistemit DRG. Megjithatë, vendimet përfundimtare do t’i marrim ne dhe do t’i implementojmë ne, në vendin tonë. Gjithashtu ne jemi ata që përcaktojmë veçanërisht strategjitë politike afatmesme e afatgjata. Kështu janë ndarë gjërat dhe këtu nuk mund të veprohet ndryshe. Në tërësi unë mendoj se nuk mund të pritet pa fund sa të aftësohen njerëzit. Baza ekziston. Shumë gjëra do të plotësohen në ecje e sipër, si është vepruar dhe deri tani.

Po drejtimin shëndetësor duhet ta realizojnë mjekët, apo ekonomistët?

Në lidhje me atë se çfarë duhet të jenë menaxherët shëndetësorë, unë mendoj se është një diskutim, i cili te ne ka marrë disa dimensione spekulative dhe që ka shërbyer jo rrallë si modus për lëvizjen e njerëzve nga vendet e punës. Këtë formulë e kanë përdorur pa profesionalizëm dhe drejtues të sistemit shëndetësor. Së pari ka disa nivele menaxhimi. Atë klinik e realizojnë mjekët, infermierët, pra personeli mjekësor. Sektorë të tjerë të veçantë, si informatika, farmaceutika, menaxhohen nga specialistë të fushave. Xhestionin e institucioneve në tërësi e të politikave zhvilluese mund ta realizojnë mjekë, stomatologë, infermierë, farmacistë, ekonomistë, juristë.
është e nevojshme që këta të kenë studiuar apo të jenë specializuar për menaxhim shëndetësor. Menaxhimi shëndetësor është sot një shkencë e veçantë, ku janë kualifikuar tashmë njerëz te ne. Në rastet e mungesave të tilla të kapaciteteve njerëzore, unë do të preferoja ata mjekë, që kanë një eksperiencë në këtë drejtim. Këta janë shumë më të ambientueshëm me sistemin e menaxhimit në shëndetësi, se sa një ekonomist që ka punuar në hekurudhë, me sistemin shëndetësor.

Niveli i tretë i menaxhimit, ai financiar dhe ngushtësisht administrativ, patjetër duhet realizuar nga financierët, ekonomistët, juristët. Mos të harrojmë se dhe këta kanë nevojë për studime apo specializime në fushën e këtij lloji xhestioni të veçantë, shëndetësor. Pra unë në këtë mënyrë komplekse do ta shikoja çështjen e kapaciteteve njerëzore, të domosdoshme për këtë reformë shëndetësore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›