Europa, 2009, viti i parë pa ekzekutime
Europa, më në fund, ka shënuar një shifër pozitive për sa i përket ekzekutimit të të dënuarve. Në vitin 2009, sipas grupit të të drejtave të njeriut të “Amnisty International” nuk është ekzekutuar asnjë person dhe ky fakt përbën një rekord. Por organizata ka deklaruar edhe se së fundi, ky rekord pozitiv u prish nga ekzekutimi i dy personave në Bjellorusi. “Amnesty International”, që nga vitet ‘80, është marrë me çështjen e ndalimit të dënimit kapital dhe me klasifikimin dhe renditjen e vrasjeve të ndryshme, të cilat gjithsesi nuk përfshijnë ekzekutimet në luftëra apo ato që nuk kanë të bëjnë me ligjin. Vendet e Europës Perëndimore si Franca, Britania dhe Gjermania e kanë anuluar vendimin kapital në vitet që pasuan Luftën e Dytë Botërore dhe më pas kjo tendencë vazhdoi të përhapej edhe në Europën Lindore me rënien e Perdes së Hekurt. Shumë vende që ishin satelit të Bashkimit Sovjetik e ndaluan dënimin kapital në vitet ‘80 dhe më pas edhe në vitet ‘90. Rusia dhe Ukraina nuk kanë ekzekutuar njeri që prej më se 1 dhjetëvjeçar. “Amnesty International” bëri të ditur se Bjellorusia, Kazakistani, Uzbekistani dhe Taxhikistani kanë ekzekutuar mbi 130 persona vitet e fundit, por që nga viti 2006, Bjellorusia kishte qenë i vetmi shtet i Europës që vazhdonte të kryente ekzekutimin e dënimeve kapitale. Dënimi kapital është një fenomen në zhdukje e sipër, sipas “Amnesty International”. Për sa i përket Bjellorusisë ajo sapo ka ekzekutuar dy persona dy javë më parë. Të burgosurve të dënuar me vdekje në Bjellorusi u njoftohet kryerja e ekzekutimit vetëm disa momente përpara. Më pas ata qëllohen me plumb pas koke dhe trupat e tyre varrosen në fshehtësi. Për sa i përket statistikave botërore, në tërësi, numri i vendeve që kanë sanksionuar ekzekutimet është i paqartë kryesisht sepse Kina, që është edhe vendi në të cilin kryhet numri më i madh i ekzekutimeve, refuzon që të publikojë numrin e personave që i nënshtrohen dënimit kapital.
“Amnisty” e ka të vështirë që të vendosë një numër për rastet e tilla në Kinë, por bëhet fjalë për një numër që në të gjitha rastet e kalon shifrën 1000. Ka grupe të tjera që mendojnë se në Kinë, çdo vit, ekzekutohen mijëra vetë, por për shkak të mbajtjes sekret është shumë e vështirë që të merret vesh e vërteta. “Amnesty International” kërkon që qeveria kineze të heqë dorë nga fshehtësia dhe t’i thonë botës hapur se sa është numri i personave që u merret jeta. “Amnesty” është marrë edhe me ekzekutimet në Irak. Sipas të dhënave të grupit, numri i të ekzekutuarve në këtë vend në vitin 2006 ka qenë 65, ndërsa në vitet në vijim, bëhet fjalë për shifra më të ulëta. Por në vitin 2009, befas shifra është rritur me 120 persona. Ndërkaq, në vendet e Bashkimit Europian ndalohet dënimi kapital dhe për sa i përket vendeve të Europës nga 50 shtete, 48 e kanë hequr një dënim të tillë. Bjellorusia është vendi i fundit europian që vazhdon ta mbajë ende atë. Letonia, edhe pse teorikisht duke qenë një anëtar i Bashkimit Euro- pian, nuk e njeh dënimin kapital, e ka mbajtur të hapur teorikisht mundësinë e vendosjes së tij në një periudhë të jashtëzakonshme lufte. Portugalia ishte vendi i parë europian që hoqi dënimin me vdekje në vitin 1867.
#