E Diel, 1 Nëntor 2026

Athina do të rivarrosë 1200 ushtarë në Shqipëri

Marrëveshja Zbardhet procesverbali i mbledhjes së Komisionit të Jashtëm të Kuvendit

Zbardhet procesverbali i Komisionit të Jashtëm, ku u diskutua për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri. Në mbledhjen ku kanë marrë pjesë vetëm deputetët e djathtë, ka raportuar përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Suela Janina, specialiste në Drejtorinë e çështjeve Juridike dhe të së Drejtës Ndërkombëtare. “Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal janë vlerësuar nga qeveria shqiptare si parakushte në arritjen e qëllimeve tona strategjike, për marrëdhëniet me Greqinë, duke e vlerësuar atë si partner strategjik euro-rajonal. Në funksion të zgjerimit të mëtejshëm të kuadrit dypalësh ligjor është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, është shprehur ajo në komision. Marrëveshja parashikon ndërtimin e dy varrezave për të rënët grekë në Këlcyrë dhe Bularat. Sipas MPJ-së, numri i të rënëve sipas listës që komisioni i palës greke i paraqiti komisionit të palës shqiptare, arrin në rreth 1200 persona.

“Shpenzimet për ngritjen e varrezave mbulohen nga pala greke. Duke pasur parasysh trajtimin e të rënëve gjatë luftës në Shqipëri, për të cilët shtete si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca kanë varreza, komisioni shqiptar vlerësoi që edhe për të rënët grekë trajtimi në territorin shqiptar të bëhet në të njëjtën mënyrë”, ka thënë përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme. Kryetari i komisionit, Fatos Beja, ka thënë se “marrëveshje të tilla, siç e tha dhe specialistja, janë aplikuar edhe me vende të tjera dhe mbi të gjitha dispozitat e parashikuara në marrëveshje respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi, si edhe janë në përputhje me të drejtën e praktikat ndërkombëtare të trajtimit të ngritjes së vendprehjes së ushtarakëve të huaj në territorin e një vendi tjetër”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›