E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shëndetësia ndërron shefat e mëdhenj, udhëzimi, gati kriteret e reja të përzgjedhjes

Shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të ndërrohen.

Udhëzuesi me kriteret e reja për kandidatët që duan të marrin në dorë drejtimin e shërbimeve shëndetësore në qendrën më të madhe spitalore në vend është miratuar tanimë nga Këshilli i Ministrave.

Minimumi që duhet të plotësojë një kandidat që të marrë pjesë në garë, duhet të jetë doktor shkencash. Po kështu, kriter tjetër i ri është që, kandidati për shef shërbimi duhet të ketë qenë jo më pak se 8 vjet pedagog pa ndërprerje në fushën ku konkurron.

Sipas  deklarateve të bëra nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, në shtator i përfundon kontrata shefave aktualë, të cilët do t’i lënë vendin shefave të rinj.

Këtë javë pritet të hapet gara për kandidatet e rinj përmes konkursit.

Në udhëzimin e ri janë përcaktuar dhe pikët e vlerësimit nëse kandidati ka vetëm gradën doktor shkencash vlerësohet me 5 pikë, profesor i asociiuar me 10 pikë, nëse ka titullin profesor ka 15 pikë.

Ndërsa projekti i tij dhe vizioni për të drejtuar një shërbim për 4 vite vlerësohet me 53 pikë dhe po kështu komisioni do të vlerësojë aftësinë profesionale dhe organizative në strukturat shëndetësore me 14 pikë. Të gjithë kandidatët konkurrues do të vlerësohen nga një komision i posaçëm, madje, kandidati fitues do të lidhë kontratë si me drejtuesin e institucionit të arsimit të lartë, në këtë rast me rektorin e Universitetit të Mjekësisë, ashtu edhe me drejtuesin e strukturës shëndetësore, pjesë e së cilës është shërbimi që ai do të drejtojë.

Për shkak të moshës së pensionit disa nga shefat që kanë drejtuar për 4 vjet shërbime të rëndësishme si kardioologjia, nefrologjia apo sëmundjet interne nuk do të mund të marrin pjesë në garë, duke ua lënë vendin kandidatëve të rinj.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›