E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shëndeti mendor – Arlinda Cerga, urë lidhëse midis shkencës në Shqipëri dhe Europë

Arlinda Cerga, kërkuese shkencore për çështje të shëndetit publik është kthyer në një zë të rëndësishëm sa i përket shëndetit mendor në nivel ndërkombëtar.

Në emisionin “Një Shqipëri” në RTSH me autorin dhe drejtuesin Mentor Nazarko, znj. Cerga foli për eksperiencën e saj.

E pranishme në emision ishte dhe Gentiana Qirjako, drejtuese e Departamentit të Shëndetit Publik e cila vlerësoi kontributin e studiueses shqiptare për vendosjen e lidhjeve të Shqipërisë me komunitetin shkencor në Europë.

“Arlinda shërbeu si një urë lidhëse midis shkencës në Shqipëri që në fushën e shëndetit mendor ishte minimale dhe shkencës në Europë. Në 2016 filloi përpjekja e parë dhe që prej asaj kohe nuk jemi ndalur në disa studime shkencore. Këto studime konsistojnë në mbështetjen e profesionistëve dhe në ndihmën se si mund t’ju jepet punonjësve të ndryshëm për shëndetin mendor,” tha znj. Qirjako.

Edhe nëna e Arlindës, Natasha Cerga, u shpreh se krenohet me kontributin e vajzës së saj.

“Për mua është kënaqësi që ajo ka arritur të jetë një studiuese që kontribuon jo vetëm për vendin ku punon, por dhe për Shqipërinë dhe Kosovën. Me Arlindën krenohem, sepse ajo i ka arritur të gjitha me krahët e saj. Nuk kemi marrë pjesë në ceremoninë të diplomimit, por e kemi ndihmuar shpirtërisht,” u shpreh e ëma e studiueses shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›