E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndeti mendor, një betejë për t'u fituar

Ligji i parë "Për Shëndetin mendor në Shqipëri" u miratua në vitin 1996 (Ligji nr.8092). Për kohën kur u miratua, ai ligj përbënte një risi dhe një zgjidhje të pjesshme të problemeve që lidheshin me të drejtat e një kategorie personash të prekur nga format e ndryshme të çrregullimeve mendore. Evoluimi i koncepteve për shëndetin mendor nxori në pah kufizimet e ligjit të mësipërm dhe njëherësh problematikat e reja të kësaj dukurie në Shqipëri, problematika të konstatuara nga organizma kombëtare e ndërkombëtare të pavarura, si Avokati i Popullit, Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve Çnjerëzore (CPT) etj.
E gjitha kjo shtroi nevojën e hartimit të një ligji të ri më të plotë në përputhje me standardet bashkëkohore europiane. Për këtë qeveria shqiptare ngriti një grup pune të përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, si edhe nga ekspertë të QSUT-së. Grupi i punës u mbështet gjatë procesit të draftimit të projektligjit të ri në praktikat dhe legjislacionet e vendeve si Italia, Portugalia etj. Grupi u asistua nga specialistë të OBSH-së, nga institucioni i Avokatit të Popullit, si edhe nga organizata joqeveritare të interesuara. Në tërësi kjo nismë e rëndësishme ligjore iu referua akteve ndërkombëtare, rekomandimeve të OBSH-së, si dhe disa rezolutave e konkluzioneve të posaçme të Këshillit të Europës, si:
- Rezolutës së datës 18 nëntor 1999, "Për promovimin e shëndetit mendor".
- Konkluzioneve të Këshillit të Komisionit Europian të 15 nëntorit 2001, "Për luftën kundër stresit dhe problemet e lidhura me depresionin".
- Konkluzioneve të Këshillit të Europës të datës 12 qershor 2003, "Për luftën kundër stigmës dhe diskriminimit lidhur me çrregullimet mendore".
- Konkluzioneve të Këshillit të Europës të datës 3 qershor 2005, "Për veprim të shëndetit mendor në komunitet".
Ligji i ri "Për shëndetin mendor" u miratua në Kuvendin e Shqipërisë në datën 12 prill 2012. Ai shënon një hap të rëndësishëm përpara në fushën e legjislacionit specifik për mbrojtjen e shëndetit mendor të shtetasve dhe në një rrafsh më të gjerë, në fushën e legjislacionit për liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë ligj kanë gjetur zgjidhje disa nga mangësitë e ligjit të vjetër. Me gjithë përmirësimet e dukshme, ligji i sapohyrë në fuqi lë për të dëshiruar për mënyrën se si ai do të përshtatet e zbatohet në Shqipëri. Ligji i ri ndërkaq ka lënë në harresë kategori të veçanta personash që janë subjekte të dhunës fizike, psikologjike dhe traumave që derivojnë, si p.sh ajo ndaj gruas apo familjeve të ngujuara për shkaqe kanunore…
Një problem i rëndësishëm dhe i prekshëm ishte ai i monitorimit dhe përmirësimit të kushteve për personat me çrregullime mendore që kanë kryer vepër penale (personat që vuajnë dënimin me burg). Është pritur një trajtim më serioz dhe më profesional për këtë kategori personash, të cilët janë më vulnerabël ndaj problemeve të shëndetit mendor. Ligji i ri pothuajse e anashkalon këtë kategori, duke e përmendur thjesht në terma të përgjithshme, pa specifikuar probleme apo trajtime të veçanta. Me gjithë përpjekjet e OJF-ve të ndryshme, si edhe rekomandimeve të Këshillit të Europës, kjo kategori nuk është përmendur sa duhet në ligj. Aktet nënligjore dhe tranzitore u janë lënë në dorë - normalisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Ende pa u miratuar ligji këto ministri morën një iniciativë të rëndësishme. Ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Drejtësisë nënshkruan memorandumin për krijimin e institutit shëndetësor për trajtimin e të burgosurve me çrregullime mendore.
Kjo marrëveshje erdhi si reagim ndaj raportit të KiE mbi situatën alarmante në institutet e paraburgimit dhe të burgimit në Shqipëri. Të dy ministrat nënvizuan rëndësinë e saj në kuadrin e masave për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e në veçanti të së drejtës së trajtimit njerëzor dhe përkujdesjes mjekësore për çdo të burgosur. Ministrat shprehën ndërkaq angazhimin e ministrive përkatëse për paraqitjen e një projektvendimi në qeveri, në mënyrë që ngritja e institutit të futet në rrugën e realizimit brenda një kohe optimale.
Memorandumi parashikon fillimisht ngritjen e grupit ndërministror që do të merret me përcaktimin e vendit ku do të ngrihet instituti, si dhe me përllogaritjen e faturës financiare.
Kjo marrëveshje shënonte hapin e parë zyrtar për zgjidhjen e problemit të të burgosurve me probleme mendore, si dhe për promovimin në këtë rrafsh të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Megjithatë informacionet për punën e këtij grupi ndërministror janë të pakta. Natyrisht, mungesa e mbështetjes financiare kufizon të gjitha iniciativat në këtë rrafsh. Një hap përpara në ligjin e ri është bërë në aspektin e monitorimit. Struktura monitoruese janë Komiteti Kombëtar i Shëndetit Mendor, i cili është organ këshillimor i ministrit të Shëndetësisë, si dhe Avokati i Popullit. Vendosja e Avokatit të Popullit në rolin kryesor të monitorimit të jashtëm të shërbimeve te shëndetit mendor funksionon 'de jure' që nga janari i vitit 2008, si Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit Çnjerëzor dhe Poshtërues. Ky funksion i është atribuuar Avokatit të Popullit nga një rezolutë e veçantë e Kuvendit të Shqipërisë, si detyrim ndërkombëtar, që buron nga protokolli opsional i Konventës Kundër Torturës (OPCAT) i OKB-së, i cili është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është bërë pjesë e legjislacionit të brendshëm me ligjin nr.9094, të datës 3 korrik 2003. Duhet thënë që kësaj strukture të rëndësishme i është dëgjuar zëri vetëm me zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, gjë që jep shpresë se do të jetë akoma më efiçente tani që është përfshirë edhe në ligjin e ri për Shëndetin Mendor.
Një problem mbetet roli i organizatave jofitimprurëse në këtë rrafsh. Mënyrat dhe kushtet në të cilat ato do veprojnë për të asistuar personat apo kategoritë në nevojë nuk janë specifikuar qartësisht. Roli i shoqërisë civile është sanksionuar edhe në konventat ndërkombëtare në të cilën Shqipëria ka aderuar dhe si rrjedhojë ka obligime t'i zbatojë.
Ministritë përkatëse dhe Këshilli i Ministrave kanë në dispozicion, aktualisht një afat 8-mujor për të përgatitur aktet nënligjore dhe tranzitore.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›