E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndeti, paketë për të siguruarit e pasiguruarit

Paketa e shërbimeve bazë, do të garantohen nga shteti janë: promovimi i shëndetit, edukimi shëndetësor, parandalimi i sëmundjeve etj. Nga paketa e shërbimeve do përfitojnë si ata që janë të siguruar, ashtu edhe të pasiguruarit. 

TIRANE-Një paketë bazë shërbimesh, të cilat kanë në themel ruajtjen e shëndetit publik, do të ofrohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe do t'i përfitojnë si ata që janë të siguruar, ashtu edhe të pasiguruarit. Kjo, në kuadër të projektligjit të ri: "Për shëndetin publik", i cili pritet të kthehet shumë shpejt në një ligj mjaft të rëndësishëm. Paketa e shërbimeve bazë, që do të garantohen nga shteti, janë: promovimi i shëndetit, edukimi shëndetësor, parandalimi i sëmundjeve, siguria ushqimore (përfshirë monitorimin e ujit të pijshëm), shëndeti në punë, shëndeti mjedisor, shëndeti riprodhues, ai mendor, sistemi i informacionit dhe survejanca në shëndet publik, laboratorët e shëndetit publik, monitorimi i shërbimeve të shëndetit publik në kujdesin shëndetësor parësor, kërkimi shkencor në shëndetin publik, si dhe trajnimet në shëndetin publik. "Ky ligj synon të vendosë disa piketa lidhur me disa masa që duhet të vendosë shoqëria jonë apo shteti, për të siguruar një shëndet të mirë për të gjithë popullatën", - ka argumentuar projektligjin e ri, drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja. Sipas tij, kjo do të thotë se pavarësisht nga shëndeti individual, janë disa masa të organizuara që merren nga shteti, në mënyrë që të jetojmë në një ambient të sigurt, me mjedis të pastër. Ajri, uji, toka, rrezatimet, kimikatet, mbrojtja nga substancat e ndryshme abuzive, ushqimi i shëndetshëm dhe i sigurt që duhet të marrë çdo person, çështje që kanë të bëjnë me depistimin e shumë sëmundjeve, apo me ndjekjen siç duhet të grave shtatzëna, janë elementë ku kërkohet të vendoset rregull përmes këtij projektligji. Sipas Bejtes, ky ligj shërben shumë, sepse siguron që gjithë popullata të ketë mundësi të marrë shërbimet bazë shëndetësore, pavarësisht nga gjendja ekonomike e tyre.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›