Shënimi i 50 vjetorit të turqve në Gjermani nuk kaloi pa përplasje

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, sot e ka transmetuar falënderimin e vendit të saj për afro 3 milionë shtetas me prejardhje turke, që jetojnë në Gjermani, në shënimin e 50 vjetorit të stacionimit të tyre në këtë vend.
Kancelarja Merkel dhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, vlerësuan marrëveshjen për shkëmbim të punëtorëve dhe njerëzit, të cilët morën pjesë në këtë program.
Marrëveshja është nënshkruar më 30 tetor të vitit 1961.
Shumë emigrantë turq kishin mbetur, megjithatë marrëveshja parashikonte kthimin e tyre.
Tani numërohen rreth 3 milionë turq ose njerëz me prejardhje turke në Gjermani nga 7 mijë persona që ishin në 1961.
Berlini me afro 180 mijë turq, është qyteti me komunitetin më të madh turk, jashtë Turqisë.
Por, vizita e kryeministrit Erdogan në Gjermani nuk kaloi pa përplasje.
Ministri i brendshëm gjerman, Hans-Peter Fridrih, menjëherë e ka hedhur poshtë një kërkesë të Erdoganit, që turqit e lindur në Gjermani, të mësojnë turqishten si gjuhë të parë.