E Diel, 1 Nëntor 2026

Shenje e keqe për Statusin, Sanino anulon ardhjen në Tiranë

Drejtori i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, ka anuluar vizitën e tij në Tiranë, do të merrte pjesë gjatë punimeve të Konferencës Ministrale “Evropa Juglindore 2020, Drejt Konvergjencës dhe Rritjes”, organizuar nga Ministria e Ekonomisë. Burime nga Brukseli bëjnë me dije se përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Sanino, ka pasur një “axhendë të ngjeshur” dhe nuk ka mundur të njoftojë në momentet e fundit Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Sinjalet negative të ditëve të fundit për mos dhënien e Statusit kandidat të BE-së Shqipërisë, që vijnë nga drejtuesit qipriot të presidencës së radhës në BE, kanë bërë që Stefano Sanino të anulojë vizitën në Shqipëri me arsyetimin se do të vihej në pozitë nga media shqiptare për tu shprehur para kohe për dhënien e Statusit, bëjnë me dije burime nga Brukseli. Drejtori për Zgjerim në BE, Stefano Sanino, edhe pse ditën e enjte e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë Konferencë, (kjo konfirmohet edhe nga drejtues të Ministrisë së Ekonomisë nëpërmjet publikimit një ditë më parë të axhendës së Konferencës të Evropës Juglindore), nuk ka udhëtuar dje për në Shqipëri. Mos miratimi nga ana e opozitës i tre kushteve të vëna nga Komisioneri Fyle, kanë bërë që marrja e Statusit të vështirësohet gjithnjë e më shumë duke parë se afati për miratimin e tre reformave është deri më 18 nëntor. Përfaqësuesi i presidencës qipriote të BE, zv.ministri Mavroyiannis, gjatë një takimi me Ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, është shprehur se ekzistojnë mundësitë për miratimin e statusit të vendit kandidat në dhjetor, megjithëse në këtë drejtim ka rëndësi përmbushja e masave të mbetura nga Shqipëria. Ambasada e Bashkimit Evropian e cila prezantohej gjatë konferencës Minestrale “Evropa Juglindore 2020, Drejt Konvergjencës dhe Rritjes”, me anë të ambasadorit Etore Sequi, nuk ka bërë asnjë prononcim mbi mos paraqitjen e Saninos në Tiranë. Ambasadori Sequi pas fjalës së tij në konferencë ka dalë për disa minuta jashtë me qëllim që të informohej për mos paraqitjen e Drejtorit për Zgjerim, por nuk ka pasur asnjë reagim prej tij. Ministria e Ekonomisë organizatore e konferencës Ministrale “Nuk ka marrë asnjë njoftim për mosparaqitjen e z. Stefano Sanino në këtë konferencë. Drejtori për zgjerim ka shokuar të gjithë auditorin gjatë konferencës me mos paraqitjen e tij, pasi pritej që të mbante një fjalim dhe të përcillte një mesazh gjatë këtij evenimenti rajonal, ku merrnin pjesë ministrat e ekonomisë së njëmbëdhjetë vendeve të Evropës Juglindore. Drejtori i Zgjerimit në KE, Stefano Sannino, ka vizituar Tiranën për herë të fundit në qershor të këtij viti, periudhë kur mazhoranca dhe opozita ende nuk kishin gjetur një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Sanino ka zhvilluar negociata me të dyja palët e politikës me qëllim gjetjen e një emri për President, i cili më pas u zgjodh nga mazhoranca me kandidaturën e Bujar Nishanit. Anulimi i vizitës së tij në Shqipëri mund të merret nga politika si një sinjal jo pozitiv duke parë se nuk ka asnjë përpjekje nga mazhoranca e opozita për arritjen e një konsensusi në miratimin e tre kushteve, “Reforma Parlamentare”, ligji “për Gjykatën e Lartë” dhe “ligji për Administratën Publike”.

Sanino për liberalizimin

"Liberalizimi i vizave mbetet arritja më e madhe që ne kemi arritur të zbatojë me të gjitha vendet e rajonit dhe një nga pikat kryesore është që të sigurohemi që me marrëveshjen e liberalizimit nuk po abuzohet", ka nënvizuar Stefano Sanino gjatë një vizite të tij ditë më parë në Ballkan. Drejtori për Zgjerim në Komisionin Evropian shtoi se, "ne po ndjekim nga afër këtë proces. Mbajtja e sistemit të liberalizimit të vizave, është një stimul i BE-së, për të mbajtur derën e anëtarësimit hapur, për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor "tha ai. 

Ministria e Jashtme

Mosparaqitja e drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Evropianë, në konferencën ministrale “Evropa Juglindore 2020, Drejt Konvergjencës dhe Rritjes”, ka bërë që të reagojë dhe ministria e Jashtme. E kontaktuar nga gazeta ‘Shekulli’, këshilltarja për çështjet e medias, e ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, Eva Kushova, komentoi se, “drejtori për Zgjerim, Stefano Sanino do të ketë pasur axhendë personale të ngjeshur. Është e drejta e tij të vendosë”, tha këshilltarja.

/Shekulli Print/Plarent Shehu/

4

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›