E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shenjtërimi i Nënë Terezës, Rama: Grua e shenjtë me trup të vogël, me shpirtin sa vetë bota. Begaj: Simbol i mëshirës, dashurisë dhe kujdesit

Sot në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, kryeministri Edi Rama ka kujtuar me mirënjohje figurën e saj.

Me një postim në rrjetin social Facebook, Rama e cilëson Nënë Terezën si gruan e shenjtë me trup të vogël, por me shpirtin sa vetë bota.

“MIRËMËNGJES dhe me këtë foto të Shën Terezës, gruas së shenjtë me trup të vogël e me shpirtin sa vetë bota, ju uroj në këtë ditë të shenjtërimit të saj mbarësi e shëndet të mirë”, shkruan Rama.

Presidenti Bajram Begaj gjithashtu vlerësoi veprën e shenjtores shqiptare dhe ftoi qytetarët të ndjekin udhëzimet e saj për kujdesin, ndihmën, bamirësinë dhe mëshirën ndaj njëri-tjetrit.

 “Sot, e gjithë bota lutet për Shenjtën Nënë Terezë. Si shqiptarë jemi krenarë që i dhamë botës një figurë të shenjtë e fisnike, simbol të mëshirës, dashurisë dhe kujdesit ndaj të pamundurve.  

Shenjta Nënë Tereza është pjesë e shpirtit tonë kombëtar dhuruar njerëzimit për të shëruar plagë e për të sjellë shpresë aty ku mungon.  

Ajo na mësoi se edhe gjestet e vogla të mirësisë kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Le të bëjmë çdo ditë një vepër të mirë”, shkruan Begaj.

Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë ka përkujtuar Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës me një thënie të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Në fjalën e tij, Trump e quajti Nënë Terezën një person “që përfaqëson të mirën në secilin prej nesh”.

“Nënë Tereza u dha ushqim të uriturve, strehë të pastrehëve dhe arsim atyre që kishin nevojë. Ajo përfaqësonte më të mirën te secili prej nesh.” – Presidenti Donald Trump në rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka përkujtuar figurën e Nënë Terezës duke e cilësuar atë si frymëzim për brezat e ardhshëm. Delegacioni i BE-së thotë se mesazhet e Nënë Terezës për të qenë të bashkuar drejt një të ardhme më të mirë është edhe ajo që përfaqëson unioni.

“Sot nderojmë Nënë Terezën, figurën që mishëroi dhembshurinë dhe humanizmin në çdo hap të jetës së saj. Ajo mbetet një krenari e madhe për Shqipërinë dhe një frymëzim i pashtershëm për brezat kudo në botë.

“Unë mund të bëj gjëra që ju nuk mundeni, ju mund të bëni gjëra që unë nuk mundem; së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha.”

Ky mesazh i saj na kujton se vetëm duke bashkuar forcat arrijmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Ky është gjithashtu thelbi i asaj që përfaqëson Bashkimi Evropian”, shkruan delegacioni i BE.

Humanizmi dhe bamirësitë e kryera nga Nënë Tereza, janë përkujtuar dhe nderuar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shkruan se rrugëtimi i saj frymëzoi me miliona njerëz.

“Nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan dhe pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi. Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore”, shkruan Osmani.

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, teksa ka publikuar një foto të Shën Terezës në rrjetin social Facebook, lutet për bekimin e popullit shqiptar.

“Shën Terezë, Nëna jonë, bekoje popullin Tënd!“, shkruan Spiropali.

Kryedemokrati Sali Berisha ka përkujtuar 9-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Berisha deklaroi se Shën Nënë Tereza i dha nder emrit shqiptar dhe çdo njeriu me sakrificën dhe veprimtarinë e saj.

“Sot është dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, Shën Terezës, nobelistes shqiptare, e cila me virtytet më të larta shpirtërore, ia doli të pushtojë mendjet dhe zemrat e mbarë shqiptarëve.

Të shenjtërohet për së gjalli. Të bëhet një hyjni, aq sa është nëna për çdo individ.

Shën Tereza, apo Shën Nënë Tereza i dha nder emrit shqiptar, por i dha nder çdo njeriu të qytetëruar mbi tokë me sakrificën dhe veprimtarinë e saj. Ajo sot është frymëzim për virtytet më të larta të njeriut”, deklaroi Berisha.

Shën Nënë Tereza ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme humanitare përmes Misionareve të Bamirësisë, një urdhër që e themeloi në Indi dhe që sot vepron në mbi 130 vende të botës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›