E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shenjtërimi që synon bashkimin e Kishës Katolike

E.J. Dionne JR / Georgetown University  

Lajmërimi nga Papa Françesku se ai ka miratuar  shenjtërimin e Papa Gjon Palit II dhe Papa Gjonit  XXIII në të njëjtën kohë, është akt i një Pape që  e kupton nevojën për të bashkuar Kishën Katolike. Është politikë e zgjuar sepse është gjëja e  duhur për t’u bërë. Në këtë pikë kam një interes  thelbësor që me përqasjen e bërë dy vite më  parë, kohë kur Vatikani përshpejtoi procesin e  shenjtërimit të Papa Gjon Palit II: “Vendimi i Vatikanit për të përshpejtuar procedurat që çojnë drejt  shenjtërimit të Papa Gjon Palit II, ngritën entuziazëm mes shumë katolikëve, sikurse provokuan  irritimin e mjaft të tjerëve që e shohin këtë ngut  si të pavend. Është gjithsesi një veprim ndihmues  që mund t’i pajtojë ndasitë mes katolikëve dhe të  dërgojë një mesazh të qartë për qasjen e Kishës  ndaj botës moderne: Është koha që Papa Gjoni  XXIII të deklarohet Shenjt”.  

Argumenti im, që duket se ka prevaluar në Vatikan, është se ekziston “një lidhje natyrale mes dy  papateve”.  Kur historianët hedhin sytë pas, arritjet më të mëdha të Gjon Palit në mënyrë të pashmangshme do  të jenë ato që e shohin atë si liberal në një sens  të gjerë: për angazhimin e tij me të drejtat e njeriut dhe lirinë fetare, apelin e tij për një drejtësi  më të madhe sociale, përqafimin e të drejtave të  punëtorëve (prioriteti i punës mbi kapitalin) dhe  kundërvënia e zellshme ndaj paragjykimit fetar.  Kujtoj se Papa Gjon Pali II ishte i pari papë - pa  zënë gojësh Shën Pjetrin - që vizitoi një sinagogë,  ku ai shtjelloi dhe bëri çështje dënimin e fortë të  antisemitizmit. Asnjë prej këtyre arritjeve nuk do  të ishte e mundur nëse Papa Gjoni XXIII nuk do t’i  kishte dhënë fund luftës së Katolicizmit me modernizmin duke thirrur Koncilin e Dytë të Vatikanit  në mesin e viteve ’60... 

Aktet më të admiruara të  Gjon Palit II vijnë nën strehën e trashëgimisë së  Papa Gjonit XXIII. Është e vështirë të përfytyrohet Shën Augustini pa Shën Palin, Washingtoni  pa Xhefersonin, Gjon Pali pa Gjonin. Një kishë që  ka nevojë të hapë dritaret sërish do të bënte mirë  të nderonte papën që i dha asaj lirinë që të freskohet me flladin e modernitetit. Është një gabim  të mendosh për çdo çështje brenda Kishës si një  thyerje mes rrymave të djathta dhe të majta. Në  tërësi, më shumë konservatorë do ta mirëpresin  shenjtërimin e Gjon Palit II dhe po kaq progresivë  do të mirëpresin shenjtërimin e Gjonit XXIII. Duke  ngritur lart këta dy papë, Papa Françesku dërgon  një sinjal të rëndësishëm sa i përket angazhimit  të tij për të bashkuar Kishën - dhe lidhjen e tij me  trashëgiminë e reformave të nxitura nga Koncili i  Dytë i Vatikanit si dhe papatit të Gjonit XXIII.  

Marrë nga “The Washington Post”  

Titulli është redaksional  


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›