Shënohet 10 vjetori i luftimeve në Sellcë të Tetovës

Në Sellcë të Tetovës është përkujtuar 10 vjetori i fillimit të konfliktit në Maqedoni, manifestim jubilar, i pagëzuar "Pranvera e Dinjitetit".
Në këtë manifestim kanë marrë pjesë një numër shumë i madh i qytetarëve të ardhur nga të gjithë trevat shqiptare, struktura të larta partiake midis të cilëve edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni Arben Çejku, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues fetarë dhe shumë personalitete të tjera që kanë lënë gjurmë në dinjitetin e shqiptarëve.
"Jemi në momente tepër të rëndësishme kur duhet të investojnë shqiptarët për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe ardhmërinë. Mendoj që luftërat shqiptarët i kanë kryer me sukses. Kosova shtet i pavarur, shqiptarët e Maqedonisë me status shtet-formues, me ndryshime rrënjësore në kushtetutën e Maqedonisë, me universitete dhe emblema për të gjitha luftërat që janë realizuar në këto hapësira", ka thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Në manifestim janë përkujtuar dëshmorët e kombit. Madje, të pranishëm kanë qenë edhe prindër dhe familjarë të dëshmorëve, si dhe shumë të ftuar të tjerë.