E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënohet katërmbëdhjetë vjetori i vrasjes së Fehmi Aganit

Akademik Fehmi Agani, ishte i përkushtuar për Kosovën deri në ditën e fundit të jetës së tij. Kështu tha sot kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë homazheve te varri i Aganit, me rastin e katërmbëdhjetë vjetorit të vrasjes.

Në katërmbëdhjetë vjetorin e vrasjes së akademik Fehmi Aganit, funksionarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe familjarë të tij bënë homazhe te varri i tij. Kryetari LDK-së, Isa Mustafa, tha se Akademik Agani ka kontribuar për vendin deri në ditën e fundit të jetës se tij.

”E vlerësojmë lartë kontributin dhe veprën e profesor Aganit edhe si nënkryetar i LDK-së edhe si themelues i LDK-së, si njeri i cili vazhdoi veprën e tij deri në ditën e fundit të vrasjes së tij, si njeri i cili ishte i përkushtuar për Kosovën”. Agani u çmua edhe për punën e tij prej akademiku, si profesor në Universitetin e Prishtinës, tha Mustafa.

”Njeri që la gjurmë te studentët dhe gjurmë në dijen e Kosovës. Prandaj si LDK por edhe si qytetarë të Prishtinës dhe të Kosovës do të vazhdojmë ta respektojmë veprën e tij, ta ndërtojmë Kosovën, duke kujtuar të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”.

Ndërkaq nesër në ora 12:00 në Teatrin Kombëtar, do të mbahet akademi përkujtimore me rastin përvjetorit të vrasjes së akademik Fehmi Agani./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›