Shënohet viktima e nëntë e gripit të derrit, një vajzë 25-vjeçare shtatzënë me dy binjakë
Virusi AH1N1 është i pamëshirshëm. Ende pa kaluar dy javë nga vdekja e 18-vjeçares me fëmijën e saj në bark, i ka marrë jetën një tjetër vajze. Këtë herë viktimat kanë qenë tre. Nëna e re 25-vjeçare dhe dy binjakët e saj në muajin e gjashtë.
Për gati një javë me radhë vajza ka qëndruar në terapi intensive në spitalin e sëmundjeve të mushkërive "Shefqet Ndoqi".
Për ditë me radhë ka marrë oksigjen dhe është shtruar në repartin special nën vëzhgimin e mjekëve dhe stafit të sanatoriumit.
Festën e Krishtlindjeve e ka kaluar duke marrë oksigjen, ndërkohë që dy ditë më pas ka humbur jetën për shkak të komplikimit të gjendjes shëndetësore. Është shtatzëna e dytë që ka humbur jetën në vendin tonë, fill pas vdekjes së 18-vjeçares një javë më parë në shërbimin e infektivit. Të dyja nënat nuk kanë vuajtur nga probleme shëndetësore kronike, por shkak i vdekjes së tyre është bërë komplikacioni nga prekja e gripit të derrit. Ashtu siç shpjegojnë edhe mjekët, përpos faktit që virusi është agresiv, gjendja e një gruaje shtatzënë është e rënduar nga vetë mbingarkesa.
Pacientja
Vajza që ka humbur jetën në spitalin e sanatoriumit dje pasdite ishte 25 vjeçe. Për një javë me radhë ka qëndruar në terapi intensive, ndërkohë që oksigjeni që ajo thithte ishte i pamjaftueshëm edhe për dy binjakët e saj. Vajza ndodhej në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe sipas mjekëve, mungesa e oksigjenit është ajo që shkakton traumë. Nga mbledhja e ekipit të mjekëve, mësohet se edhe nëse vajza do të dilte nga gjendja e rënduar, përsëri fëmijët e saj do ta kishin shumë të vështirë rehabilitimin. Gjendja e 25-vjeçares për ditë me radhë ka qenë stacionare, e pandryshuar, pa u përmirësuar, pa u përkeqësuar.
Derisa dje pasdite gripi i derrit, virusi AH1N1, ka shënuar edhe viktimën e nëntë të gripit. Viktima e tetë është raportuar pak ditë më parë nga shërbimi i infektivit, një grua 55-vjeçare, e cila vuante edhe nga sëmundje kronike. Sipas Institutit të Shëndetit Publik janë mbi 370 të prekur nga gripi i derrit në vend. Sigurisht statistikat do të ishin edhe më të larta në rast se kampionët e ekzaminimit nuk do të ishin të kufizuar.
Gripi i derrit
Në korrik të këtij viti, Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi pacientin e parë të prekur nga gripi i derrit AH1N1. Ndërkohë që një muaj më parë u shënua edhe viktima e parë e virusit në vendin tonë. Sipas mjekëve, virusi është agresiv, ndërkohë që vëmendja e ekzaminimeve është spostuar te rastet e rënda. Edhe sipas direktivave të Organizatës Botërore të shëndetësisë, ky është çasti kur të gjithë duhet të kontrollojnë nëse kemi qarkullim të dy viruseve, kombinim të tyre, por edhe në rast se kemi shfaqje të mutacioneve të AH1N1.