Pyetësori i BE-së, prokurorët në punë edhe në ditën e Vitit të Ri
Drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme do të privohen nga festa e ndërrimit të viteve, pasi janë angazhuar nga kryeprokurorja Ina Rama në plotësimin e detyrimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Prej më shumë se një jave, të gjithë drejtorët e akuzës qendrore po përgatisin përgjigjet e pyetjeve të BE-së për pjesën që u takon si institucion. Janë rreth 90 pyetje që po analizohen deri në detaje nga zyrtarët e akuzës qendrore. Pyetjet kalojnë "dorë më dorë" dhe puna po ndiqet direkt nga vetë kryeprokurorja. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se personat e angazhuar në përgjigjet e pyetjeve po punojnë me orë të zgjatura, të cilat vazhdojnë deri në orët e vona të mbrëmjes. E njëjta situatë do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të pushimit gjatë ndërrimit të viteve. Afati i vendosur nga Kryeministri skadon në muajin shkurt dhe zyrtarët e akuzës qendrore duke mos dashur ta neglizhojnë këtë detyrë ultimative po sakrifikojnë edhe pushimet për të përgatitur dokumentacionin për Ministrinë e Integrimit.
Pyetjet
Rreth një javë më parë, në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm ka ardhur një dosje me rreth 90 pyetje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Pyetjet konsistojnë në aspekte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo me shtetin e së drejtës, me luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Pyetjet janë ndarë nëpër drejtoritë përkatëse dhe për çdo ditë u jepet përgjigje disa prej tyre. "Për t‘iu përgjigjur një pyetje duhet një kohë shumë e gjatë. Fillimisht duhet analizuar legjislacioni shqiptar dhe më pas krahasimet me legjislacionin e BE-së. Më pas duhet të merren shembuj nga praktika hetimore dhe gjyqësore në Shqipëri. Në fund të kësaj pune, nxirren të dhënat, të cilat analizohen me zyrtarët më të lartë të akuzës qendrore. Pas analizës, nxirret përfundimi dhe në këtë mënyrë çdo pyetje merr përgjigjen e duhur", thanë burimet brenda akuzës qendrore. Sipas tyre, pyetjet e BE-së konsistojnë në zbatimin e kauzave të ndryshme në legjislacionin shqiptar. Puna do të vijojë me ritme të larta dhe çdo ditë në akuzën qendrore merren një mori rastesh të ngjashme nga hetimet në të kaluarën. "Duhet t‘i rikthehemi edhe arshivës për të marrë dispozitat ligjore që kemi përdorur në çështje të ndryshme në të kaluarën. Ecuria e një hetimi, si dhe përfaqësimi në gjykatë janë çështjet për të cilat interesohet BE-ja", thanë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se ka edhe pyetje për ndërhyrjen e ekzekutivit në punën e prokurorisë apo në çështje të caktuara.
Dublimi
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se disa pyetje që po shqyrtohen nuk janë objekt i punës së prokurorisë, por kanë të bëjnë me legjislacionin. Për këtë arsye, zyrtarët e akuzës qendrore po këmbejnë informacione për dërgimin e pyetjeve në institucionet përkatëse. "Gjatë shqyrtimit të pyetjeve që kanë ardhur kemi konstatuar se disa pyetje nuk janë objekt i punë sonë. Me letër-këmbimet me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë kemi shkëmbyer informacion", thanë të njëjtat burime. Sipas tyre, puna po ecën me ritme të shpejta, megjithëse duhet një punë voluminoze për përgjigjet e tyre. "Duhet të punojmë me orë të zgjatura për t‘u dhënë zgjidhje të sakta dhe profesionale pyetjeve", thanë burimet, duke ironizuar se "jemi në një provim, nga i cili duhet të marrim pikët maksimale".