E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënon rritje popullariteti i Putinit

Ndonëse Rusia u përfshi nga protesta të shumta pas parregullsive të pretenduara në zgjedhje në dimër dhe pranverë, të dhënat e fundit tregojnë se popullariteti i presidentit Putin është në rritje të vazhdueshme.

Në një sondazh të zhvilluar përgjatë një muaji, një institut i specializuar për statistika arriti në përfundimin se 67 për qind e rusëve aprovojnë politikat e ndjekura nga kreu i shtetit si dhe vetë qëndrimin e Putin në krye të Kremlinit.

Në krahasim me sondazhin e fundit, duket se popullariteti i Putin ka shënuar një rritje prej 3 për qind.

Megjithëse është i vendosur nën trysni nga mediat ndërkombëtare, disa seksione të medieve ruse dhe nga opozita, duket se njeriu që fitoi në mars mandatin e tretë në krye të Federatës Ruse, vazhdon të bëjë për vete gjithmonë e më shumë rusë të thjeshtë, falë masave të tij popullore që synojnë rritjen e standardit të përgjithshëm të jetesës.

Shumë më i ulët është ndërkohë popullariteti i figurës së dytë më të rëndësishme politike të vendit, ish-presidentit dhe tashmë kryeministrit Dmitry Medvedev.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›