Dy burrat e Kosovës

Ish Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtori dhe miku i tij Mark Krasniqi janë bërë prapë bashkë. Jo në jetën reale por në libër. “Me dy burra të Kosovës, Ibrahim Rugova e Mark Krasniqi” titullohet libri i gazetarit dhe publicistit Bajrush Morina, i cili u promovua të hënën në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
Për librin folën studiuesit Anton Nikë Berisha dhe Ramadan Musliu. I pari, i cili është edhe redaktor i librit, tha se Bajrush Morina, përmes punimeve dhe bisedave me ta, i trajtoi dy nga figurat më madhore të botës sonë bashkëkohore, Ibrahim Rugovën dhe Mark Krasniqin, duke ndriçuar rëndësinë e personalitetit dhe kontributit të tyre që ndërlidhet pandërmjetësisht me atë që përjetojmë sot – pavarësinë dhe jetën e lirë që bën populli i Kosovës.
“Pra, përkundër brezave e profesioneve të ndryshme që u takojnë Rugova dhe Krasniqi, ata i njëson ideali i përbashkët, gjakimi për demokraci e jetë të lirë, për ngritjen dhe pasurimin e botës e të shpirtit të njeriut tonë”, tha Berisha. Duke folur për Rugovën, Berisha tha se ai shquhet për kontributin e tij në dy fusha: studimore-shkencore dhe politike.
“Përmes një varg veprash të rëndësishme, ai bëri kthesë në pasurimin dhe zbatimin e mendimit modern të studimit të letërsisë dhe të interpretimit të veprave konkrete të artit tonë të fjalës. Asnjë studiues yni i periudhës, kur Ibrahimi i botoi frytet e punës së vet, nuk pati si ai një përgatitje teorike moderne dhe nuk e zbatoi një dije aq të thellë në interpretimin e veprave e të dukurive letrare”, tha Berisha.
Sipas tij, edhe marrja me figurën e Mark Krasniqit në libër ndërlidhet me atë të Rugovës. Për Krasniqin, Berisha tha se ai është ndër personalitetet më të shquara të botës sonë, veprimtarinë e të cilit e cilësuan dy përbërës të qenësishëm, që nuk patën as dhe më të voglën rënie deri në këtë çast: puna e mirëfilltë dhe e frytshme shkencore, pedagogjike dhe letrare dhe veprimtaria kombëtare, bërë me ndërgjegje dhe me përkushtim të lartë. Në fund, Berisha theksoi se librin e përshkon fund e krye përmasa e ngrohtësisë dhe e dashurisë për dy personalitetet.
Ndërkaq, për recensentin e librit, Ramadan Musliu, vlera e librit qëndron pikërisht edhe te interpretimi autorial që i bën Bajrush Morina një procesi politik të vështruar përmes dy personaliteteve pro eminente të kulturës dhe të politikës sonë.
“Vlera e librit qëndron pikërisht edhe te interpretimi autorial që i bën Bajrush Morina një procesi politik të vështruar përmes dy personaliteteve pro eminente të kulturës dhe të politikës sonë, siç është doktor Ibrahim Rugova, presidenti i parë siç e quajmë dhe jemi mësuar ta quajmë si president historik dhe akademik Mark Krasniqi, një personalitet i shquar, i cili është i këtillë prej kur e njohim dhe ka mbetur një personalitet shëmbëlltyrë. Po ashtu, një refleksion të caktuar ky libër zgjon edhe për momentin politik nëpër të cilin po kalon Kosova, që është një moment delikat, ku shihet se ideja e pavarësisë dhe praktika e pavarësisë nuk ka shkuar deri në fund, kur po ndodh një erozion apo një degradim institucional i shtetit”, tha Musliu.
Ndërkaq, Mark Krasniqi, njëri prej protagonistëve të librit që është gjallë, i falënderoi të gjithë miqtë e tij, e po ashtu edhe autorin, për botimin e një vepre të tillë. Ai tha se nuk kemi fjalë që ta falënderojmë Rugovën, i cili me punën e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek ne.
Duke i falënderuar të pranishmit dhe sponsorët e librit, autori i librit, Bajrush Morina tha se këta dy burra që i ka përfshirë në librin e tij, nuk i ka bërë bashkë, por ata kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë bashkë.