Shërbëtorët e përjetshëm të krimit
Fehmi Abdiu, një nga gjyqtarët e lartë që firmosi dënimin me vdekje të poetit Havzi Nela në vitin 1988, deklaroi javën e kaluar se ai u gjykua dhe dënua për terrorizëm. Për të qenë i saktë në fjalën terrorizëm hapa fjalorin shqip-shqip të Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, botim i vitit 1980, dhe kërkova të di se ç’është terrorizmi ose akti terrorist. Tekstualisht kjo fjalë në këtë fjalor do të thotë: “Zbatimi i dhunës së egër e të pamëshirshme nga një regjim shtypës o nga një organizatë reaksionare e kundërrevolucionare ndaj popullit e ndaj kundërshtareve të vet politikë, që arrin deri në asgjësimin fizik të tyre”.
Havzi Nela u kap në shtëpinë e dajës së vet dhe me vete kishte një pistoletë ‘nagant’. Sipas dëshmisë së policit që kërkoi ta arrestonte, Nela qëlloi vetëm një herë, plumbi i të cilit plagosi policin. Logjika ma thotë se maksimumi i akuzave që mund t’i ngrihej Nelës ishin: largim nga vendi i internimit, armëmbajtje pa leje, tentativë vrasjeje dhe ndoshta nenin që e shoqëroi gjithë jetën, agjitacion dhe propagandë. E gjithë kjo, sipas tregimeve të personave që kanë qenë prezentë në këtë ngjarje.
Jam dakord që ligjet duhet të zbatohen me përpikmëri, por unë dua t’i bëj një pyetje drejtpërdrejt zotit Abdiu. Ku e ka parë ai terrorizmin që ka firmosur varjen në litar të Havzi Nelës?
Edhe një njeri injorant do të kuptonte se Nelës mund t’i bëheshin lloj-lloj akuzash, por jo ajo për terrorizëm. Vetëm mendjet kriminale terroriste mund të shohin në veprimet e Nelës akte terroriste. Vetëm shërbëtorët terroristë si Abdiu, Laskaj e Robo mund të shihnin në veprimet dhe poezitë e Nelës atë që ata e quajtën terrorizëm dhe e çuan në litar poetin, i cili nuk pranoi të bashkëpunonte me regjimin terrorist të Hoxhës dhe shërbëtorëve të tij.
Dhe mos të harrojmë që ishte viti 1988. Evropa Lindore kishte filluar të ndërronte kurs. Por Shqipërisë së vogël, të shtypur nga këta terroristë, i duhej dhe kurbani i fundit, që ata e bënë atë në mënyrën më makabre, duke përdorur një mënyrë ekzekutimi që kishte dekada që nuk përdorej as nga vetë komunistët.
Pas 20 vjetësh, me paturpësinë më të madhe, këta shërbëtorë të komunizmit dalin në media dhe shprehen se nuk kanë faj.
Duke shfrytëzuar tolerancën e madhe të shtresës së ish-të përndjekurve politikë, ata kanë ngritur tashmë krye dhe me postet që kanë edhe sot, duket sikur i thonë kësaj shtrese se “jemi ne që ua kemi bërë të gjitha dhe tani jemi përsëri ne që bëjmë çfarë duam. Pushtetin politik dhe ekonomik e kemi përsëri ne”.
Ata mijëra të vrarë e të vdekur dhe që shpirti nuk mund t’iu prehet në paqe atje ku janë, kërkojnë drejtësi. Kriminelët e vërtetë duhet të identifikohen, të gjykohen dhe të dënohen sipas shkallës së krimit që kanë kryer, se ata kanë shkelur edhe vetë ligjet e diktaturës për t’u treguar më të zellshëm në shërbim të saj nga sa iu kërkonte ajo.
Për këtë është e nevojshme ngritja e Institutit të Hetimit të Krimeve te Komunizmit, ku historianët të zbulojnë faktet dhe juristët të bëjnë ballafaqimin juridik të tyre me ligjin.