E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet kopja e çelësit në selinë e PD

Antena brenda familjes

Gerti Bogdani dje u rikthye në formën e tij më të mirë. Ende pa shkuar mesdita i bie telefoni. Ishte ai burri. “Gerti, shkruaj, - tha, - se jam në Sarandë dhe nuk kam kohë të hartoj deklaratën. Këtë Blendi Klosin duhet ta bësh të zi si këpuca. Se më thanë mua miqtë e tij ku i kaloi pushimet dhe na ka sharë plazhet tona. Shkruaj: Pasi kaloi 10 ditë në Saint Tropez, nga të cilat 5 në jahtin me të famshëm dhe luksoz “Aleksandri i Madh”, ku dita kushton 4000 euro, dhe prej aty shkoi në Ibiza për të vazhduar pushimet si milioner... z. Klosi kthehet në Tiranë dhe derdh lot krokodili për pushuesit shqiptarë.

....Ndaj e ka të lehtë të flasë për standardet evropiane të zonave turistike, sidomos kur këto i provon në vendet më luksoze të Evropës. E ka po aq të lehtë t’u thotë shqiptarëve ‘bëni si them unë e mos bëni si bëj unë’, kur e di që pushimet do t’i kalojë përsëri në jahte e plazhe milionerësh ....”

Pasi shtoi dhe një fjali, Bogdani mori frymë thellë.

- Në rregull, - tha, - e mbajta shënim. Ta ndaj me e mail?

- Jo me e mail jo, me kamera. Dil te selia dhe bëje të zi si këpuca. Se më thanë mua ku i ka bërë pushimet ai bashkë me gruan. Jo, se tanët i kanë bërë pushimet të gjithë brenda. S’ka shkuar njeri askund, as në Turqi, as në Mesdhe as në Tajlandë, as në Francë, as në Spanjë. Të gjithë i kanë bërë në Golem dhe Vlorë. Jo, duhet t’ia thuash këtë. Shko te selia dhe bëje të zi si këpuca.

- Dakord, do shkoj, po s’kam çelës, se e ka marrë Flamuri.

- Thirre Flamurin ku të jetë, të vijë shpejt.

- E thirra, po më tha “jam në Turqi”, se e paska të paguar nga një biznesmen për dy javë.

- Jo mo, se është kthyer nga Turqia, e kam me vete këtu në Sarandë, se po mban billboard-in. Mos u mashtro nga ata që shpifin. Shiko kush ka çelës tjetër të PD.

- Thonë që ka një kopje Patozi, po dhe ai është në Francë me pushime.

- Jo mo, se e kam me vete në Sarandë, çfarë jashtë, po shiko gjej ndonjë kopje tjetër.

- Nuk di a ka ardhur Jozefina nga Kroacia, se dhe ajo ka pas një kopje, - tha Bogdani.

- Jo mo, ajo këtu është, por është në Lushnjë sot, se do dhurojë ca gjëra për kalamajtë e një shkolle vere.

- Po, s’di ç’të them, - tha Bogdani. - Kush tjetër mund të ketë çelësa të PD? Vetëm të pyes Bamirin mos i ka ngelur një kopje e vjetër, nëse është kthyer nga Italia, po Flamuri thotë që ka ndërruar bravat, që kur ka ikur ai.

- Prit, se të lidh me Flamurin, - i tha doktori.

Dy minuta më pas Flamuri u lidh me Bogdanin shumë i egërsuar.

- Shiko ti, s’mund të flasësh ashtu me atë burrin. Jo ta them unë, me atë gjuhë ti nuk flet dot. Jo se nuk të marr leje unë ty ku i kaloj pushimet.

- Nuk thashë gjë, - i tha Bogdani. - Mua çelësi më duhej dhe më thanë para një jave që ishe në Turqi.

- Janë ca punë që s’i di ti pse isha në Turqi, po bëj si të them unë. Shko tek parkingu, është një roje aty. I thuaj ke të fala nga Flamuri dhe më duhet kopja e emergjencës. Po qe se e ka harruar, poshtë derës nga e majta është një gur, lëvize pak dhe është një çelës i mbështjellë me gazetë. Është kopje e çelësit të derës së jashtme, se e kam lënë aty, se e harroj ndonjëherë në shtëpi çelësin, kur bëj dush dhe e heq nga qafa. Merre hap derën dhe kur të ikësh fute prapë aty. Po të pyeti roja, i thuaj është çelësi i degës së Tiranës, se na fut ndonjë njeri pa leje në godinë.

- Mirë, - i tha Bogdani, - ika. Faleminderit shumë.

- Sa i papjekur! - tha Flamuri me vete. - Ku i gjen ky burri këta kalamaj që na ka sjellë në parti. Mirë sektin holandez, që na është bërë si ato lopët holandeze që importoi shoku Enver për të bërë më shumë qumësht, por ky Bogdani është si më ndryshe. E kam dhe në lagje dhe ne kuksianët i kemi pas respektuar këta tironsit e vjetër. Po ky s’e meritoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›