A luftohet me politikat ekzistuese krimi i organizuar?
Dukuritë tipike më dominuese të këtij tranzicioni të gjatë sollën ndryshime të rëndësishme sociale si (1) varfëria dhe papunësia (2) flukset e mëdha të emigracionit që vazhdojnë dhe thellohen çdo ditë dhe (3) proceset migratore, pra, lëvizja demografike dhe urbanizimi i pakontrolluar kryesisht në qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Elbasani, Saranda etj.
Reformat e thella strukturore, privatizimi pa kriter i ekonomisë, hapja me botën, lëvizja e lirë, ndryshimet e shpejta dhe kaotike social-ekonomike, dobësia e institucioneve të pakonsoliduara për mbrojtjen e shtresave të rrezikuara, fragmentarizimi i strukturës sociale të shoqërisë, mungesa e strategjisë dhe e programeve specifike të qarta për mbrojtjen e grupeve të rrezikuara krijojnë premisa për organizimin e krimit në të gjitha kuptimet dhe vështirësi e mungesë frymëmarrjeje për drejtimin e shtetit.
Natyrisht që një rol të rëndësishëm kanë luajtur OJF (organizatat jofitimprurëse), sidomos aty ku institucionet shtetërore kanë pak mundësi për të ofruar shërbimet e tyre sociale.
Një nga politikat sociale që zbaton shteti sot është dhe ndihma ekonomike që reduktohet në shifra shumë simbolike. Kësaj politike tashmë i ka ikur koha dhe paratë e dhëna në këtë mënyrë janë pa efektivitetin e duhur.
Jemi të gjithë shqiptarët dëshmitarë të rritjes së numrit të lypësve dhe të minorenëve që shesin rrugëve e nuk shkojnë në shkollë etj. Me politikat e saj Ministria Arsimit e Shkencës dhe ajo e Brendshme nuk kanë patur asnjë qëllim dhe aq më tepër produktivitet. Numri i analfabetëve është rritur shumë. Kur bisedon me ta, të thonë me sinqeritet se na duhet të punojmë për të mbijetuar së bashku me familjet e tyre tashmë të shpërngulur nga vendet e tyre, sepse nuk kanë rrugë tjetër. Papunësia raportohet në shifrat 13-16 %, shifra këto që nuk pasqyrojnë realitetin. Të papunët nuk regjistrohen në zyrat e punës, për shkak se këto të fundit nuk kanë ç’t’u ofrojnë atyre. Kështu, dhe sipas raporteve të CIA-s dhe institucioneve të tjera, shifrat shkojnë në mbi 40 % të papunë. Në këto kushte, a ka menduar njeri se çfarë do të bëhet pas 10-20 vjetësh? Vila do jetë Shqipëria e së nesërmes, problemet që do të lindin? Përgjigjja është e thjeshtë, ky kontigjent do të kthehet në hajdutë e kriminelë, që zor se do të jemi të aftë t’i luftojmë, kur të jenë kthyer në sistem. Atëherë, le ta bëjmë këtë luftë që tani sa nuk është vonë. Le të sjellim një shembull, modeli i të cilit nuk është pa vlerë, ta marrim edhe ne. Rumania, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, i Bllokut Lindor që pak a shumë ka të njëjtat plagë si edhe Shqipëria. Ndihma ekonomike atje jepet në funksion të reduktimit të varfërisë dhe uljes së nivelit të analfabetizmit. Nëse një familje me dy fëmijë pranon të dërgojë fëmijët në shkollë, ajo përfiton një të ardhur prej 500 Lei, pavarësisht nga kushtet sociale që ka ajo familje. Në rast se fëmijët ndërpresin shkollën ose nuk pranojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, pavarësisht nga kushtet ekonomike që ka ajo familje, shteti ia ndërpret dhe nuk i jep asnjë kacidhe. Nga statistikat që kanë ata, rezulton se të gjithë treguesit janë në ulje.
Në Shqipëri, në mungesë të politikave qeverisëse vlerësimi i nevojave të grupeve vulnerabël dhe kapaciteteve institucionale përgjithësisht është bërë dhe bëhet formalisht. Pyetni për shifrat e buxhetit për vitin 2008, për të kuptuar se sa bëjmë ne për këto shtresa. Ato janë shumë simbolike për shtëpitë e pleqve, foshnjave, fëmijëve, handikapëve mendorë dhe fizikë dhe thuajse është ligjëruar që këto institucione të bashkëpunojnë me OJF për të siguruar ushqime dhe veshmbathje për grupet rezidenciale që jetojnë në këto institucione. Po mirë, po shumica e tyre që janë jashtë atyre institucioneve si do të ndihmohen? Ky është një problem tjetër, madje mjaft i rëndësishëm. Ata gjenden rrugëve, minimarketeve që punojnë me lista borxhesh, për shkak se shteti dhe qeveria nuk ka politika të qarta për zbutjen e papunësisë e për pasojë të varfërisë.
Rrugët e zgjidhjes herë-herë i japin OJF, të cilat në Shqipëri janë rreth 1200 të tilla. Le të kalojmë në një problem tjetër. Çfarë bën gjithë ky kontigjent OJF? Me çfarë merren, apo justifikohen, me kilogramët e fasuleve apo miellit që u japin këtyre fakirëve? Pse heshtim dhe tolerojmë deri në këtë pikë?
Rumania, një shtet me 24 milionë banorë, ka vetëm 5 OJF, vendet e tjera të Ballkanit thuajse nuk kanë. Po atëherë, çfarë bëjnë kaq shumë OJF këtu në Shqipëri, apo këtu është han me dy porta dhe mund të bësh ç’të duash? A dinë institucionet kryesore të Shqipërisë se me çfarë merren ato, apo kanë ardhur të na bëjnë kurse gjuhësh? Z. Stipe Mesiç, president i Kroacisë, i përzuri me dekret OJF e huaja, ndërkohë ne ç’bëjmë?
Sistemi i mbrojtjes sociale në Shqipëri duhet të konsistojë në programe afatmesme dhe afatgjata, strategji të cilat nuk duhet të mbeten kurrsesi në letër. Studimet duhet të synojnë prognoza për problemet që kemi sot, tendencat e problemeve sociale, nevojat, në mënyrë që të parandalohen dhe reduktohen të gjithë faktorët që ushqejnë vulnerabilitetin dhe përjashtimin social, disiplinimin e donacioneve të OJF (kam përshtypjen se një pjesë e dëmtojnë procesin), në përputhje me nevojat, prioritetet dhe objektivat strategjike për këtë qëllim. Të mos i lëmë të trashen gabimet, por të marrim masa sa nuk është vonë.
Duke pasur parasysh rëndësinë që ka problemi në fjalë, duhet të merremi seriozisht me vlerësimin e nevojave të grupeve vulnerabël dhe kapaciteteve institucionale, si fëmijët në rrezik (fëmijë jetimë biologjikë dhe socialë, lypësit etj.), të rinjtë në rrezik, gratë në rrezik, të paaftët mendorë dhe fizikë, të moshuarit (mosha e tretë), që jetojnë vetëm, të braktisur, me të ardhura të pamjaftueshme, të paaftë për t’i shërbyer vetes etj. Amortizimi i të gjithë këtyre problemeve, realizimi i një strategjie afatmesme dhe afatgjatë, zbutja e varfërisë dhe e papunësisë, ulja e analfabetizmit apo i problemeve sociale në tërësi do të ulin tendencën e zhvillimit të krimit të organizuar e për pasojë jeta e fëmijëve dhe familjeve tona do të jetë më e sigurt dhe më e shëndetshme.