Shërbim shëndetësor në banesë në Postribë, mbështetje për të moshuarit dhe pacientët e sëmurë rëndë

Për të lehtësuar aksesin ndaj trajtimit shëndetësor për të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje të rënda, Qendra Shëndetësore Mes në Postribë, ofron shërbim mjekësor në banesë 24 orë në 24.
Infermierët e kësaj qendre, përmes vizitave në shtëpi, u vijnë në ndihmë pacientëve që e kanë të pamundur paraqitjen në qendër shëndetësore, duke siguruar trajtim, ndjekje mjekësore dhe këshillim profesional.
“Sa i përket moshave të vjetra, pra të moshuarve, kemi edhe projektin e kujdesit për të moshuarit, që ndiqet nga personeli në shtëpi, pasi ata nuk mund të lëvizin dot,” tha Sokol Zhabjaku, mjek i Qendrës Shëndetësore Mes.
“Bëjmë shërbimin në banesë pasi është futur në protokoll. E kryejmë shërbimin në banesë dhe shkojmë në çdo orar të mundshëm. Kësaj zone nuk i mungon shërbimi. Vetëm në rast operacioni shkojnë në Shkodër, ndërsa rastet e tjera i mbulojmë të gjitha ne,” tha Dan Rrahi, infermier i QSH Mes.
Ndërkohë, personeli mjekësor u bën thirrje banorëve të zonës që të mos neglizhojnë shenjat paralajmëruese të sëmundjeve dhe të mos përdorin medikamente pa u konsultuar më parë me mjekun.
Sipas tyre, diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi i duhur nga profesionistët shëndetësorë mbeten thelbësorë për parandalimin e komplikacioneve dhe ruajtjen e shëndetit.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/