Shërbimet sociale, ministri Ksera: Shqetësim bashkëpunimi me pushtetin vendor
Komisioni kuvendor për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Ministrin e Punës, Çështjeve Sociale, Spiro Ksera për shërbimet e përkujdesjes shoqërore në qendrat rezidenciale. Në fjalën e tij përpara deputetëve, Ministri, ndër të tjera, tha se qëllimi i politikave sociale është krijimi i një sistemi efektiv të mbrojtjes sociale, në përputhje me standardet e miratuara të shërbimeve sociale, të cilat funksionojnë në bazë të parimeve të rëndësishme, të parashikuara në Kushtetutë dhe në dokumentet strategjike të Ministrisë së Punës. Këto dokumente përfshijnë ndërmarrjen e proceseve të decentralizmit dhe deinstitucionalizimit të shërbimeve sociale që ofrohen për personat e moshuar, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara. Ksera paraqiti të dhëna në lidhje me shërbimet që ofrohen për të gjitha këto kategori në rang vendi. “Për moshën e tretë funksionojnë 6 institucione publike që u shërbejnë 275 të moshuarve,19 Organizata Jofitimprurëse që u mbulojnë shërbime për 116 të moshuar dhe 6 shërbime alternative për 1000 të moshuar. Për kategorinë e fëmijëve, shërbimet ofrohen nga 9 institucione publike për 244 fëmijë, 3 qendra ditore për 75 fëmijë dhe 18 OJF të licencuara”, bwri tw ditur ai. Për sa i përket kategorisë së personave me aftësi të kufizuara, Ministri informoi se janë në funksion 14 qendra ditore, 7 qendra komunitare për 200 përfitues dhe 17 OJF të licencuara. Përveç reformës së ndërmarrë për përmirësimin e standardeve, ai u ndal në procesin e decentralizimit, që sipas tij, ka përfunduar plotësisht dhe të gjitha qendrat kanë kaluar nën administrimin e pushtetit vendor, gjë që nënkupton edhe transferim të fondeve dhe ndërtesave. “Mbetet ende shqetësim bashkëpunimi me pushtetin vendor, pasi duket se nuk e ka kuptuar ende rëndësinë e shërbimeve sociale të cilat i kanë kaluar në administrim. Ka ende bashki të mëdha, përfshirë Bashkinë e Tiranës, të cilave megjithëse këto kompetenca u janë deleguar prej vitesh vazhdojnë të menaxhojnë shërbimet sociale me fondet që lëvrohen nga Ministria”, thotë Ksera.