E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e ajrit, Tirana 30 për qind mbi normat e BE-së

27/05/2010 Shqetësimi ngrihet nga përfaqësuesit e OBSH-së, shtohet niveli i sëmundshmërisë

Masat e marra për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Kjo, pasi Shqipëria renditet ende si një ndër vendet me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit, krahasuar me vendet e tjera dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky fakt shqetësues është pohuar edhe nga përfaqësuesit e kësaj organizate në vendin tonë, teksa rezulton se niveli i ndotjes është rreth 30 për qind më i lartë sesa normalja. Në një aktivitet të zhvilluar gjatë ditës së djeshme, ku është mundësuar ngritja e një tjetër stacioni për monitorimin e ajrit, është konfirmuar se pavarësisht masave të marra, Shqipëria listohet te vendet që kalojnë parametrat e ndotjes së ajrit kryesisht nga grimcat e imta të pluhurit, të cilat vijojnë të jenë në sasi shqetësuese. "Po të shohim të dhënat e deritanishme, konfirmojmë se niveli i ndotjes, i matur nga dy stacionet e vendosura në Tiranë, këtu në institut dhe në qendër, i tejkalon normat e përcaktuara nga Bashkimi Evropian, madje dhe limitet dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, veçanërisht për grimcat. 20-30 për qind mbi normat e lejuara është niveli i ndotjes, madje dhe më shumë, por ne nuk mund të interpretojmë matjet, pasi duhet një kohë më e gjate për t’u përcaktuar ato", ka pohuar përfaqësuesi i OBSH-së në vendin tonë Michael Kryzonëski. Janë të ndryshëm faktorët e ndotjes, por më problematikë janë gazrat që çlirohen nga djegiet, si dhe punimet në rrugë. Prezenca e lartë e këtyre faktorëve është bërë shkak jo vetëm për shtimin e nivelit të sëmundshmërisë, veçanërisht atyre të zemrës, por edhe për shkurtimin me 1.5-2 vjet jetëgjatësinë e popullatës. Qytetet më problematike në këtë drejtim kanë rezultuar të jenë Tirana, Durrësi dhe Fieri, që kanë regjistruar dhe nivelin më të lartë të ndotjes nga vëzhgimet e kryera. Përveç grimcave të shumta ndotëse që përmban ajri që thithim çdo ditë, për herë të parë është arritur të vëzhgohet dhe niveli i ndotjes së shkaktuar nga prania e benzenit, ndotës ky që lëshohet në ajër nëpërmjet makinave që përdorin lëndën e benzinës. Lidhur me praninë e këtij ndotësi, monitorimi i kryer nga ISHP-ja e ka cilësuar si tepër alarmante situatën, kjo pasi prania e benzenit jo vetëm që është e lartë, por ndikon në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme kancerogjene në popullatë. Madje, shifrat e publikuara rezultojnë të jenë disa herë më të larta se ato të përcaktuara nga vendet e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›