Tryeza e së shtunës, plani i Topit për zgjidhjen e krizës

Presidenti thërret tryezën me Berishën dhe Ramën. Skema e bisedimeve në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Dokumenti që pret firmat do të jetë gjysmë i gatshëm
Më në fund durimi i ndërkombëtarëve sosi. Në një demonstrim force, tre përfaqësuesit më të rëndësishëm të Europës dhe SHBA-ve në Tiranë hynë dje jo pa qëllim njëri pas tjetrit në zyrën e presidentit Topi, i cili pak orë pas takimeve lajmëroi thirrjen e tryezës me Berishën dhe Ramën për ditën e shtunë në orën 11:00.
“Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, vendosi që të thërrasë tryezën politike ditën e shtunë më 13 shkurt 2010, në orën 11:00, në selinë e Presidentit, në vijim të takimeve të sotme me kreun e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan, me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me ambasadorin e SHBA-ve në vendin tonë, Xhon Uidhërs II, si dhe pas kontakteve me kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama”, - thuhet në faqen zyrtare të Presidencës. Duke parë se takimet e fillimjavës së shkuar patën një sukses të vogël, që kishte të bënte me tërheqjen taktike të Berishës, i cili pranoi për herë të parë tryezën në Presidencë përballë Edi Ramës, ndërkombëtarët dje kanë avancuar, duke dalë hapur në mbështetje të presidentit dhe caktimit të datës së nisjes së bisedimeve. Ata nuk u kanë besuar më palave në debat, të cilat pas pranimit të dialogut, përforcuan kushtet e tyre në distancë, duke bërë që presidentit ta kishte shumë të vështirë caktimin e një date takimi, i cili sipas gjasave ishte i papërgatitur dhe do të dështonte.
Thirrja e tryezës është hapi i dytë drejt zgjidhjes së një krize 8-mujore, por për momentin asnjëra palë nuk mund të thotë saktësisht sesi do të përfundojnë këto bisedime të vështira. Në takimet me Lohan, Montobio dhe Uidhërs, presidenti i vendit ka diskutuar pikërisht për platformën e bisedimeve dha pasi është këshilluar për datën e takimit, ka marrë edhe pëlqimin e Berishës dhe Ramës. “Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, priti sot në takim kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan, ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me cilësinë e vendit që ka Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, si dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhërs II. Këto takime, në të cilat u inkurajua roli kyç i presidentit si moderator, u organizuan në kuadrin e vazhdimit të konsultimeve të kreut të shtetit me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, nën frymën e rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe qëndrimeve të Bashkimit Europian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri. Gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë dhe nevojën e mbajtjes së tryezës së dialogut mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, nën moderimin e presidentit Topi, në përpjekje për t’i kontribuar normalizimit të klimës politike dhe rivendosjes së dialogut parlamentar”, - bën me dije Presidenca.
Axhenda e bisedimeve
Por pavarësisht hapit të bërë dje, ajo që mbetet pjesa më e vështirë ka të bëjë me axhendën e bisedimeve apo me platformën, e cila do të hidhet në tryezë për diskutim. Burime nga dy partitë bëjnë me dije për “Korrierin” se, që pas fiksimit të takimit për të shtunën, palët janë përfshirët në një proces intensiv konsultimi me këshilltarët e kreut të shtetit. Kështu, PS e PD, duke pasur ndërmjetës presidentin dhe stafin e tij, tërë këto ditë në vijim do të shkëmbejnë propozimet për temat e diskutimit, me qëllim shmangien e bllokimit të këtyre negociatave. Por sërish “thembra e Akilit” mbetet kërkesa e PS-së për hapjen e kutive të votimit dhe refuzimi kategorik që i bën kësaj kërkese kreu i qeverisë dhe PD-së, Berisha. Pra, e gjithë çështja është si të shmanget përplasja në këtë pikë, që do të sillte edhe dështimin e sigurt e tryezës dhe futjen e krizës në një spirale të paparashikueshme. Sërish burimet partiake bëjnë me dije se deri dje në mbrëmje nuk ka pasur ndonjë ide të re dhe të padëgjuar më parë, por selia blu ishte e sigurt se platforma e tryezës së Topit do të ishte rezoluta e miratuar nga Këshilli i Europës. Ndërkohë, burime të tjera thanë se presidenti po punon për një zgjidhje, e cila deri të shtunën të jetë gjysmë e gatshme, për ta pasur pastaj më të lehtë negocimin me dy krerët partiakë. Si skemë të bisedimeve mësohet se kreu i shtetit do të ketë dokumentin e miratuar pak ditë më parë në Strasburg, ku kërkohet hetimi i zgjedhjeve dhe futja e opozitës në Kuvend. Dhe këtu plani ecën dhe bëhet me bindës, po të kemi parasysh se këtë zgjidhje të gatshme presidenti “do ta pjekë” me konsultimin e ndërkombëtarëve, të njëjtët që e detyruan Berishën të ulet dhe të nisë tratativat për zgjidhjen e krizës,