E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi Social:1 mijë raste abuzive me ndihmën ekonomike

TIRANË- Nëndrejtori i Shërbimit Social Shtetëror Leonard Strazimiri, ka deklaruar se nga verifikimet e kryera janë vënë re shumë raste ku është përfituar në mënyrë abuzive dhe pa të drejtë.

“Nga verifikimi që i është bërë dokumentacionit të këtyre familjeve ka rezultuar rreth 1 mijë familje kanë përfituar fonde jashtë cdo kriteri të përcaktuar në ligjin për shërbimet shoqërore”,- theksoi Strazimiri.

Sipas tij, me hyrjen në fuqi të ligjit për shërbimet shoqërore e ndihmën ekonomike, këtë vit përfitojnë për herë të parë ndihmë ekonomike disa kategori si, jetimët e viktimat e trafikut e dhunës në familje.

Abuzimi me skemën e ndihmës ekonomike është një problem i përhershëm që deklarohet nga Shërbimi Social Shtetëror. Edhe pse qeveria akordon cdo vit një fond prej 5 miliardë lekë vetëm për ndihmën ekonomike, përsëri niveli i varfërisë sidomos në zonat verilindore është mjaft i lartë.

Sipas Shërbimit Social Shtetëror për të reduktuar varfërinë është menduar që të aplikohet një formulë e re, e cila mendohet të ulë abuzimet me fondet e ndihmës ekonomike, njëkohësisht administrimi i fondeve të ndihmës ekonomike do të bëhet nga pushteti qendror dhe jo vendor.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›