Shërbimi i Sëmundjeve të Brendshme, Rama: Kujdesi ndaj pacientëve përmirësohet çdo ditë

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga shërbimi i Sëmundjeve të Brendshme në Spitalin Universitar të Traumës.
Rama theksoi se, krahas investimit në infrastrukturë, kujdesi ndaj pacientëve përmirësohet çdo ditë falë teknologjisë së avancuar dhe stafit të përkushtuar.
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në Spitalin Universitar të Traumës është një investim i qeverisë shqiptare dhe ka kapacitete të shtuara.
Spitali i ri me 60 shtretër, është i dedikuar për shërbimet e kardiologjisë, pneumologjisë, neurologjisë, endokrinologjisë, hematologjisë, nefrologjisë, reumatologjisë dhe psikiatrisë dhe është rindërtuar me standardet më të larta.
Për herë të përfshihet edhe një strukturë ambulatore me kapacitete të shtuara, duke lehtësuar edhe korpusin qendror nga fluksi ditor dhe duke përmirësuar edhe kohën e pritjes dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët.
Në këtë spital është investuar për rinovimin dhe dyfishimin e kapaciteteve të skanerëve në Urgjencën e Traumës, ku aktualisht ky shërbim është në standardet optimale të shërbimit të imazherisë me dy skanerë të rinj që garantojnë mbulimin e plotë të shërbimit në kohë dhe me cilësi.
Spitali Universitar i Traumës pret rreth 70,000 urgjenca në vit, nga të cilat 20,000 urgjenca kirurgjikale dhe 50,000 urgjenca të traumave. /j.p/