Shërbimi i hemodializës pranë pacientëve edhe në Lezhë dhe Shkodër

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Pranë shërbimit të hemodializës në Spitalin e Lezhës dhe atë të Shkodrës çdo ditë paraqiten pacientë që marrin trajtimin e nevojshëm pranë vendbanimit, duke shmangur udhëtimet drejt Tiranës dhe duke e bërë kujdesin shëndetësor më të aksesueshëm.
Doktoreshë Valbona Prenga, nefrologe e qendrës së Diaverumit në spitalin e Lezhës, bën të ditur se pranë këtij shërbimi kryejnë hemodializën pothuajse një numër i konsiderueshëm i pacientëve duke përfshirë dhe rrethinat të Laçit, Mamurrasit, Kukësit dhe të Dibrës.
“Numri i përgjithshëm është afërsisht 75-80 pacientë që marr hemodializën tri herë në javë. Kjo qendër normalisht gjatë periudhës qershor, korrik, gusht është e tejmbushur pasi vijnë persona emigrantë që kryejnë seanca të veçanta të hemodializës pranë qendrës tonë”, tha ajo.
Edhe në Spitalin e Shkodrës ky shërbim ka nisur me rreth 60 pacientë dhe aktualisht në 120 pacientë që marrin trajtimin e nevojshëm. “Hemodializa në Shkodër, fillime të vështira me një staf që u trajnua, për hir të së vërtetës, por këto vite kanë shërbyer që ky staf të bëhet çdo ditë e më profesionist dhe të shërbejë çdo ditë e më me përkushtim. Diabeti dhe hipertensioni janë shkaktarët kryesorë të cilët kontribuojnë në rritjen e numrit të pacientëve”, shprehet një prej mjekeve në Spitalin e Shkodrës.
Ajo pohon se “në këtë shërbim ne kemi pacientë edhe që kanë filluar para 20 viteve dializën dhe ato janë dëshmitarët më të mirë të këtij shërbimi dhe të asaj çfarë ne si staf i kemi ofruar atyre”.
“Mendoj që ne duhet të kemi një vazhdimësi të këtij shërbimi për të ofruar të gjithë atyre që kanë nevojë hemodializën si një shërbim jetë shpëtues”, apelon ajo.