Shërbimi pakistanez i zbulimit dhe lidhjet me talebanët

Debatet lidhur me Shërbimin pakistanez të Zbulimit, ISI, për shkak të akuzave nga Shtetet e Bashkuara për mbështetjen aktive që i jep kjo agjenci sulmeve ndaj objekteve amerikane në Afganistan, ende vazhdojnë. Por siç shkruan Zëri i Amerikës Gary Thomas, Shtetet e Bashkuara janë në një farë mënyre përgjegjëse për fuqizimin e agjencisë. Admirali Mike Mullen, ish-shefi i shtatmadhorisë amerikane, para se të largohej nga detyra, më 22 shtator, shkaktoi një stuhi të tërë reagimesh, kur akuzoi hapur Shërbimin Pakistanez të Zbulimit, ISI, se mbështet sulmet që bëhen ndaj objekteve amerikane në Afganistan.
Admirali Mullen tha se Pakistani dhe shërbimi i tij i zbulimit po përdorin militantët si vegla për të ruajtur ndikimin e tyre në Afganistan. Por SHBA kanë një farë përgjegjësie, sepse janë ato që e kanë ndihmuar Shërbimin paksitanez të Zbulimit të fuqizohet, duke arritur shkallën e lartë të eskpertizës që ka sot. Fillimisht agjencia ISI shfrytëzonte militantët islamikë për të mbështetur objektivat e saj politike në Afganistanin fqinj në vitet 80, gjatë luftës kundër pushtimit sovjetik dhe e realizoi këtë përmes ndihmës aktive të CIA-s. Profesori Owen Sirrs i Universitetit të Montanës, thotë se CIA lejonte agjencinë pakistaneze të përcaktonte sasinë e parave, armëve, municioneve dhe ndihmave të tjera që do t`i jepeshin grupeve afgane që luftonin kundër forcave sovjetike. ISI u themelua në vitin 1948 nga një oficer britanik menjëherë pas luftës mes Indisë dhe Pakistanit, si një agjenci spiunazhi.
Në atë kohë ajo ishte njëra prej disa agjencive rivale të zbulimit që vepronin në Pakistan dhe detyra e saj kryesore ishte të mos lejonte depërtimin indian në ushtrinë pakistaneze. Por fuqia e agjencisë ISI u shtua gradualisht. Qeveritë civile pakistaneze u përpoqën që ajo t`u shërbente atyre, si p.sh., për spiunimin e kundërshtarëve politikë. Por megjithëse zyrtarisht ISI përgjigjet para kryeministrit, në fakt agjencia varet nga ushtria, e cila e përdor atë si mjet, për të kontrolluar sundimin civil, që ushtria e konsideron si jo kompetent.
Ish-kryeministrja e vrarë Benazir Buto, që e vranë, e cilësoi agjencinë ISI “një shtet brenda shtetit”, duke theksuar paaftësinë e qeverisë për të kontrolluar fuqinë e agjencisë së zbulimit. Shumë analistë janë të mendimit se ISI pati rol në krijimin dhe mbështetjen e talebanëve kur ata erdhën në fuqi në Afganistan në vitet 1990.