Rusi, akuza të reja në rastin Politkovskaja

Autoritetet ruse thanë se do të ngrenë akuza të reja ndaj të dyshuarit në vrasjen e gazetares rusë, Ana Politkovskaja, e cila u vra pesë vite më parë.
Politkovskaja, e cila punonte për “Novaya Gazeta” u vra në moshën 48 vjeçare në banesën e saj në Moskë më 7 tetor të vitit 2006.
Politkovskaja ishte e njohur për kritikat ndaj Kremlinit, korrupsionit në Rusi dhe luftës në Çeçeni.
Edhe pesë vite pas vrasjes, autoritetet ende nuk kanë dënuar asnjë të dënuar lidhur me këtë rast.
Sot, Komiteti Hetues i Rusisë njoftoi se është duke shtuar akuzën ndaj Lom-Ali Gajtukajev, një çeçen që akuzohet për organizimin e vrasjes.
Komiteti tha gjithashtu se do të ngrejë akuza të reja kundër vrasësit të dyshuar, Rustam Makmudov dhe disa të dyshuarve të tjerë.
Autoritetet kanë akuzuar së fundi zyrtarin e lartë të policisë, Dimitri Pavliuçenkov, për ndihmën e organizimit të vrasjes, por mbetet e paqartë se kush ka urdhëruar vrasjen e gazetares ruse.
Në një deklaratë të lëshuar sot, organizata Amnesty International vlerësoi se “është bërë pak progres” në pesë vitet e kaluara rreth “rritjes së sigurisë për gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut”.