Protestat kundër Wall Street-it zgjerohen

Protestat e nisura në mes të shtatorit në Nju-Jork kundër sistemit financiar të SHBA-së, nën moton "Pushtoni Wall Street-in", po përhapen në gjithnjë e më tepwr nw shumë qytete. Të enjten përveçse në Nju-Jork, demonstrata pati edhe në Uashington, Los Anxhelos, Filadelfia dhe Houston. Presidenti Barack Obama shprehu mirëkuptim për demonstruesit. Ata shprehin zemërimin e popullsisë për padrejtësitë ekonomike, tha Obama në Washington. Aksioneve të protestës, të mbështetura zakonisht prej të rinjve, u janë bashkuar edhe sindikalistë. Mijëra protestues kanë marshuar në zonën financiare të New Yorkut, me tubime që janë mbajtur paralelisht edhe në qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara. Sindikatat e fuqishme u dhanë një nxitje të fortë demonstruesve që protestojnë prej kohësh, ndërkohë që anëtarët e tyre iu bashkuan marshimit në Mannhattan. Studentë nga kolegje të ndryshme të Shteteve të Bashkuara dolën nga klasat e mësimit dhe marshuan gjithashtu në shenjë solidariteti. Aktivistët kanë shprehur indinjatën e tyre për ndihmat financiare që iu dhanë në vitin 2008 korporatave, ndaj papunësisë së lartë dhe humbjes së shtëpive. Qindra demonstrues u arrestuan fundjavën e kaluar në Urën e Bruklinit. Të mërkurën, protesta me përmasa më të vogla u mbajtën edhe në Boston, Chicago, Los Angelos dhe San Francisco. Evenimenti më i madh u mbajt në New York, ku rreth 5 mijë aktivistë bashkuan forcat me anëtarët e sindikatave dhe organizatat e komunitetit për të marshuar në Wall Street. Protestat vijnë vetëm pak kohë pasi presidenti Obama prezantoi planin e tij për borxhin dhe ekonominë, që parashikonte ndër të tjera rritjen e taksave për të pasurit.Situata e vështirë ekonomike që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara ka bërë që politikanët që garojnë për presidencialet të sfidojnë presidentin.