Shërbimi sekret danez paralajmëron: Rusia do të sulmojë NATO-n prej dëshpërimit!

Në qendër të raportit të fundit të inteligjencës ushtarake daneze mbi kërcënimin rus, qëndron një paradoks.
Ky dokument meriton të njihet në të gjitha detajet e tij.
Përfshirë edhe më të sikletshmin dhe shqetësuesin, sepse rrëzon një ide ngushëlluese të përhapur në Evropë: se një Rusi në vështirësi, e gjakosur nga lufta në Ukrainë, me ekonominë në prag të greminës, do të ishte një Rusi më pak e rrezikshme. Forsvarets Efterretningstjeneste, shërbimi sekret ushtarak danez, argumenton të kundërtën.
Pikërisht sepse ndodhet nën presion si kurrë më parë që nga fillimi i pushtimit, Vladimir Putin mund të tundohet të ndërmarrë hapa të dëshpëruar. Përfshirë edhe një sulm ushtarak të kufizuar kundër një ose më shumë vendeve të NATO-s.
Raporti vjen dhjetë ditë pas një incidenti që shkaktoi alarm në Kopenhagë, kur një fregatë ruse në det të hapur pranë Gedserit, në Detin Baltik, lëshoi raketa sinjalizuese drejt një helikopteri ushtarak danez.
Për shkak të afërsisë së tyre me detet dhe territoret ku ka një prani të madhe ushtarake ruse, danezët (ashtu si fqinjët e tyre suedezë, norvegjezë dhe finlandezë) kanë një traditë shumë të respektuar në fushën e inteligjencës.
Raporti i fundit nis nga lufta hibride, e cila, sipas Kopenhagës, është në përshkallëzim të plotë.
Shembulli i cituar është sulmi i dështuar me dronë kundër aeroportit Leipzig-Halle, të cilin, sipas autoriteteve gjermane, Moska e kishte planifikuar për muaj të tërë. Shërbimi danez i sigurisë së brendshme, PET, paralajmëron se Moska po përgatit akte sabotimi kundër kompanive të mbrojtjes në Danimarkë. Ndërkohë, dronë rusë dhe, në disa raste, madje edhe raketa, kanë rënë tashmë në territorin e vendeve anëtare të NATO-s që kufizohen me Ukrainën.