Shqipëria në BE / Rama: Europa të na mbajë afër dhe kur nuk ka kriza!

Kryeministri Edi Rama kërkoi që vendimet politike për zgjerimin e Bashkimit Europian të mos lihen për në momentin e fundit, ndërsa procesi për secilin vend të vijojë më pas mbi bazën e meritës.
Rama tha se Europa duhet t’i mbajë vendet kandidate rreth “tavolinës” dhe larg ndikimit të Rusisë dhe Kinës.
“Çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë mund t’i lehtësojë ata persona që ngurrojnë, është që vendimet politike të mos lihen për momentin e fundit, por të merren tani dhe pastaj, në fund, të lihen proceset në bazë të meritës që çdo vend ka.
Ka një koincidencë, shtatë fëmijë ka Ursula dhe BE-ja ka shtatë kandidatë.
Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, ata u rritën rreth tavolinës.
Ajo nuk i tha vajzës: ‘Shko dhe kalo ca kohë me gangsterin rus te cepi, se mami është pak e zënë’. Nuk i tha djalit: ‘Shko e luaj me ca lodra kineze, sepse tavolinën tani e përdorin të rriturit’.