E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbyesit civilë s’heqin dorë nga protesta

Në vazhdën e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, delegacioni i tri Sindikatave që përfaqësojnë interesat dhe të drejtat e Shërbyesve Civil të Kosovës, të martën, janë takuar me kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e financave Ahmet Shala dhe atë të Administratës Publike Arsim Bajrami.

Në këtë takim, është diskutuar mundësia e përmbushjes së kërkesave të kësaj kategorie, konform mundësive buxhetore dhe mundësive ligjore, e cila kategori e nëpunësve civil, e ka pozitën materiale më të pafavorshme nga të gjitha kategoritë tjera që financohen nga buxheti i Kosovës.

“Kryeministri u pajtua se kjo kategori, është kategoria më e anashkaluar dhe u zotua se në vazhdimësi, do të bëjë përpjekje për përmirësimin gradual të kësaj kategorie të të punësuarve”, thuhet në një komunikatë të tri sindikatave.

Sipas komunikatës kryeministri Thaçi, ka autorizuar Ministrin e Financave dhe Ministrin e Administratës Publike, që konform mundësive buxhetore, të përmbushë pjesën e kërkesave.

Ndërsa ministrat janë zotuar se dialogu do të vazhdojë të mërkurën për ofrimin e qëndrimeve dhe gjetjen e një zgjidhje të mundshme dhe të pranueshme për të dy palët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›